30 ditë paraburgim Gjykata Themelore ia ka caktuar shoferit të autobusit, i përfshirë në aksidentin e djeshëm në Podujevë.
Lajmin është bërë i ditur përmes një komunikate për media nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokuroritë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit F.I, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, të pandehurit i caktohet masa e paraburgimit në bazë të nenit 187 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe nën paragrafi 1.2 pika 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ka vlerësuar se nëse i pandehurit F.I gjendet në liri ekziston rreziku se i njëjti mund ti asgjësojë, fsheh, ndryshoj apo falsifikoj provat e veprës penale duke ndikuar në dëshmitarë gjithashtu caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton pesha e veprës penale ku si pasojë e aksidentit dy persona kanë ndërruar jetë, andaj masa e paraburgimit është e vetmja masë preventive që të ndikoi te i njëjti në parandalimin e përsëritjes së veprës penale dhe sigurimin e të pandehurit në procedurë dhe zbatimin e suksesshëm të procedurës penale”.
Në aksidentin e djeshëm në Podujevë, vdiqën dy persona e u lënduan dy fëmijë.













