Gjatë ditës së sotme Donika Gërvalla ka ftuar Lidhjen Demokratike të Kosovës që të bashkëpunojë me Vetëvendosjen.
Mirëpo nuk ka munguar reagimi nga ana e Jehona Lushaku Sadriu. Sipas deputetës së LDK-së, Gërvalla do të mbetet në histori si njëra nga kryepërqarëset e shoqërisë së vendit tonë.
Postimi i plotë:
Donikë,
Duke e njohur dëmin që ia keni shkaktuar shtetit të Kosovës tash e katër vjet; duke e izoluar ndërkombëtarisht, duke prishur miqësi ndërkombëtare madje edhe me ShBA-të; duke e futur në sanksione dhe duke ia humbur 1 miliard euro asistencë Kosovës; duke e vjedhur deri në palcë buxhetin e Kosovës e duke e shkelur si leckë Kushtetutën e Kosovës: LDK do të votojë KUNDËR teje dhe krejt VV-së në qeverisje në mbrojtje të shtetit, Kushtetutës e të mirës së qytetarëve.
Ti, do të mbetesh në histori si njëra nga kryepërqarëset e shoqërisë së vendit tonë. E ti, kurrë s’mund të flasësh në emër të LDK-së, se atë e ke braktisur moti.
Njerëzit si ti, që në vend të përvojës ndërkombëtare i sjellin vendit veç dëm, nuk i duhen Kosovës!













