Gjykata e Landit në Bielefeld ka dhënë një vendim tejet të rëndë ndaj familjarëve të boksierit të vrarë Besar Nimani. Vëllai i tij, Berati është dënuar me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje dhe sulm të rëndë, ndërsa motra ka marrë dënim prej pesë vitesh burg.
Gjyqtarët e dënuan Berat Nimanin për faktin që ai kishte qëlluar mbi anëtarët e familjes së personit që vrau vëllain e tij. Sipas gjykatës, ai ushqente “përbuzje të thellë” ndaj tyre – diçka që ishte e lexueshme edhe në letrat që kishte shkruar nga burgu.
Interesante mbetet fakti që dënimi është shumë më i rëndë sesa kishte kërkuar prokuroria. Ata kishin kërkuar 12 vjet burg për Berat Nimanin, por gjykata vendosi dënim maksimal, duke e tejkaluar ndjeshëm kërkesën fillestare, raporton “wdr.de”. Edhe motra e tij u shpall fajtore për tentativë vrasjeje dhe mori pesë vjet burg, përcjell telegrafi.
Në sallën e gjyqit atmosfera ishte e rënduar. Të pranishëm ishin shumë anëtarë të familjes së të pandehurve – nëna dhe disa motra. Ato reaguan me zë të lartë ndaj vendimit, ndërsa nëna shpërtheu në lot dhe u largua nga salla.
Prej vitesh ekzistonte një konflikt mes dy familjeve – njërës shqiptare dhe tjetrës kurde. Shkaku nuk është përcaktuar plotësisht, por dyshohet se lidhet me trafik droge. Gjithçka u përshkallëzua në mars 2024, kur boksieri Besar Nimani u qëllua për vdekje në qytetin e vjetër të Bielefeldit.













