Sindidkata e pavarur e minatorëve të Trepçës ka reaguar rreth kushteve të punës në minierën me flotacion, transmeton Gazeta Online Veriu.info
Në reagimin e tyre thuhet se situata në minierë po bëhet çdo ditë e më rrezishme pasiqë shumë punëtorë kanë mbetur me pasoja të përhershme në shëndet nga lëndimet e mara në punë.
“Çdo ditë jemi dëshmitarë të lëndimeve të rënda e të lehta brenda minierës. Shumë kolegë tanë kanë mbetur me pasoja të përhershme në shëndet, e shumë të tjerë me lëndime që nuk shihen nga askush përveç regjistrave të brendshëm. Ky numër është alarmues dhe nuk mund të trajtohet më si statistikë e ftohtë. Kjo është jeta e minatorëve që rrezikojnë për të mbajtur minierën gjallë”.
Ata kanë kërkuar nga menaxhmenti që menjëherë të nisë trajnimet e sigurisë dhe të ndermarrë masa mbrojtëse, pasiqë sipas tyre minatorët nuk mund të presin më./Veriu.info
Reagimi i plotë:
Reagim rreth kushteve të punës në Minierën me Flotacion të Trepçës
Të nderuar minatorë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës,
situata në minierë ka arritur në një pikë ku nuk mund të heshtet më. Përveç rrezikut të përditshëm që sjell profesioni ynë, ne po punojmë në kushte që nuk i plotësojnë as kërkesat minimale të sigurisë. Trajnimet e domosdoshme për sigurinë dhe shëndetin në punë mungojnë, edhe pse me ligj duhet të mbahen rregullisht për çdo punëtor.
Çdo ditë jemi dëshmitarë të lëndimeve të rënda e të lehta brenda minierës. Shumë kolegë tanë kanë mbetur me pasoja të përhershme në shëndet, e shumë të tjerë me lëndime që nuk shihen nga askush përveç regjistrave të brendshëm. Ky numër është alarmues dhe nuk mund të trajtohet më si statistikë e ftohtë. Kjo është jeta e minatorëve që rrezikojnë për të mbajtur minierën gjallë.
Pajisjet e vjetruara janë ndër shkaqet kryesore. Ato nuk plotësojnë standardet më elementare të sigurisë. Çdo herë që përdoren, rreziku për lëndim është pranë. Kjo gjendje është pasojë e mungesës së investimeve për shumë vite me radhë. Ne detyrohemi të sakrifikojmë, të punojmë me makineri të lodhura e me kushte të rrezikshme, vetëm që të sigurojmë të hyrat minimale për pagat tona.
Kjo situatë nuk mund të vazhdojë kështu. Investimet në Trepçë nuk janë dëshirë, janë domosdoshmëri.
Ne i bëjmë thirrje qeverisë së re, kujtdo që do të marrë përgjegjësinë pas zgjedhjeve, të kthejë vëmendjen kah minierat. Duhet një plan i qartë, serioz dhe afatgjatë për sektorin minerar, me investime të drejtpërdrejta në Trepçë, sepse pa minatorët nuk ka prodhim, e pa prodhim nuk ka Trepçë.
Po ashtu, kërkojmë nga menaxhmenti që menjëherë të nisë trajnimet e sigurisë dhe të ndërmarrë të gjitha masat mbrojtëse pa asnjë vonesë.
Kushtet aktuale janë të rënda, të rrezikshme dhe të papranueshme. Minatorët nuk mund të presin më.














