Përfaqësues ligjor i biznesmenit Ridvan Muharremi, avokati Mahmut Halimi, ka komentuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj tij dhe zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë shtetërore.
Halimi ka bërë të ditur se seanca fillestare, e caktuar fillimisht për 10 dhjetor, me gjasë do të shtyhet për 12 dhjetor për shkak të agjendave të avokatëve.
Avokati mbrojti figurën e klientit të tij, duke e prezantuar Muharremin si një biznesmen me histori të gjatë kontribuuese në Kosovë, madje edhe gjatë luftës.
“Ridvan Muahrremi është person i cili i pari e ka sjellë Samsungun në Kosovë, pas viteve 91-91. Ridvan Muharremi është një kontribuues shumë i madh i UÇK-së. Për këtë do t’i prezantojmë edhe të dhënat”, ka thënë Halimi”, ka shtuar Halimi Në FIVE të TV Dukagjinit,
Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Muharremin me “ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa zyrtarët e MINT-it – ministren Hajdari, ish-zëvendëssekretarin Irfan Lipovica dhe drejtorin e Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara, i akuzon për keqpërdorim detyre dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare gjatë vitit 2022, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej mbi 2.9 milionë euro.












