Presidenti rus, Vladimir Putin tha se Rusia do të marrë kontrollin e plotë të rajonit ukrainas të Donbasit me forcë, nëse forcat ukrainase nuk tërhiqen prej andej, një veprim që Kievi e refuzon.
Putin dërgoi dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, pas tetë vitesh luftimesh midis separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe trupave ukrainase në Donbas, i cili përbëhet nga Donetsku dhe Luhansku.
“Ose do t’i çlirojmë këto territore me forcën e armëve, ose trupat ukrainase do të largohen nga këto territore”, tha Putin për India Today përpara një vizite në New Delhi, sipas një fragmenti të transmetuar në televizionin shtetëror rus.
Ukraina thotë se nuk dëshiron t’i japë Rusisë territor që Moska nuk arriti ta fitojë në fushën e betejës, dhe Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka thënë se Moska nuk do të shpërblehet për luftës që e filloi vetë.
Rusia aktualisht mban 19.2 përqind të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të cilën e aneksoi në vitin 2014, të gjithë Luhanskun, më shumë se 80 përqind të Donetskut, rreth 75 përqind të Khersonit dhe Zaporizhias, dhe pjesë të rajoneve Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.













