Inspektorati Policor i Kosovës bazuar në autorizimet ligjore do të aktivizohet për të konfirmuar pretendimet se një zyratre policore po i ofron siguri Dejona Mihalit, koordinatore e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje.
Kjo është konfirmuar nga IPK për Klankosova.tv, pas interesimit të portalit nëse janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit.
“Duke ju referuar kërkesës suaj IPK ju njofton nuk ka pasur informacion e as nuk ka trajtuar ndonjë rast të tillë. Sidoqoftë IPK në kuadër të autorizimeve ligjore do të verifikoj këtë informacion dhe pretendimet e ngritura dhe do ti trajtoj nëse të njëjtat bien në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore të Inspektoratit Policor.”
Dyshimet se policja e Njësisë Speciale Operative (NjSO), M.Beadini, kujdeset për sigurinë fizike të Mihalit, u ngritën pasi u publikua një fotografi, ku shihen në një lokal.
Kujtojmë se Mihali nuk mban asnjë pozitë zyrtare në institucionet shtetërore të Kosovës, prandaj nëse verifikohet se asaj i ofrohet shërbim policor, është shkelje dhe keqpërdorim.














