Ish-deputetja e Nismës Socialdemokrate, Albulena Balaj-Halimaj, ka reaguar sot përmes një postimi të gjatë në Facebook, duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Partisë Demokratike të Kosovës.
Në postimin e saj, Balaj-Halimaj ka përdorur një varg pyetjesh retorike, duke theksuar se “një minutë” mund të jetë vendimtare për ta ndryshuar drejtimin politik në vend.
Ajo thotë se humbja e një minute mund t’i kushtojë PDK-së mundësinë për ta kthyer garën politike në luftë për vendin e parë, për t’i dhënë shpresë qytetarëve, për ta tejkaluar përçarjen e për të hapur një epokë të re stabiliteti.
“Për një minutë, me e humb shansin për ta kthyer lojën politike në garë për vend të parë? E për një minutë, me e humb mundësinë për t’u dhënë shpresë njerëzve dhe vendit?”, shkruan ajo, duke shtuar se bashkimi i dy “rrugëve” që e kanë nisur udhëtimin shumë kohë më parë do të sillte forcë politike, jo dobësi.
Balaj-Halimaj nënvizon se politika duhet të jetë “marrëveshje burrash, e jo llogari të vogla dhe hakmarrje të heshtura”, duke lënë të kuptohet se PDK-ja nuk duhet ta humbasë momentin vendimtar.
“Këtë minutë nuk do të duhej ta humbte askush.”, shkroi ajo.













