Drejtori i të ashtuquajturës zyre për Kosovën, Petar Petkoviq, minuta më parë deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka urdhëruar rrëmbimin” e vozitësit të ambulancës, Dejan Spahiq, i cili u arrestua sot nga pjesëtarët e njësisë speciale ROSU në rrugën afër Zveçanit.
Kurse tash së fundmi, drejtori i Spitalit në Mitrovicën Veriore, Zlatan Elek po pretendon se shoferi i ambulancës Dejan Spahiq, “është rrëmbyer dhe se i ka humbur çdo gjurmë që nga momenti i ndalimit nga njësiti Njësia Speciale intervenuese”.
Ai madje ka akuzuar organet e policisë se Spahiq është dërguar në një drejtim të panjohur.
“I konfirmoj të gjitha detajet e deklaruara nga drejtori Petar Petkoviq. Shoferi i ambulancës që punon në Shtëpinë tonë Shëndetësore, Dejan Spahiq, është rrëmbyer, sepse i ka humbur çdo gjurmë që nga momenti i ndalimit nga “Rosu” në Rudar dhe është dërguar në drejtim të panjohur, askush nuk na ka kontaktuar, as nuk na ka lajmëruar për punëtorin tonë, as për automjetin, përveç punëtorit tonë që drejton autoambulancën e cila rregullisht i dërgon barnat nga Qendra Shëndetësore e Leshakut”.
Mes tjerash, ai tha për Kosovoonline, transmeton Paparaci, se i kanë njoftuar të gjitha institucionet relevante.
Dejan Spahiq (57) është vozitës i ambulancës së Qendrës Klinike në Mitrovicën e Veriut, “i cili është rrahur dhe arrestuar sot nga pjesëtarët e policisë speciale ROSU në rrugën afër Zveçanit në Kosovë”, shkruan portali serb nova.rs.
Drejtori i QK në Mitrovicën e Veriut, Zllatan Elek, ka pretenduar për mediat serbe se “Spahiq po transportonte nga Shtëpia e Shëndetit në Leshak medikamente dhe material sanitar për nevojat e QK në Mitrovicën e Veriut me automjetin e këtij instituti shëndetësor, por ai është ndaluar në Rudare afër Zveçanit nga pjesëtarët e ROSU-së”.
“Ata e ndaluan vozitësin tonë, më pas e rrahën dhe e dërguan me veturë në drejtim të panjohur”, ka thënë Elek.












