Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, ka publikuar sot një video ku prezanton pakon e tij sociale, duke theksuar se kujdesi i shtetit duhet të ndihet pikërisht atëherë kur qytetari ka më së shumti nevojë.
“Çdo qytetar duhet ta ndjejë kujdesin e shtetit, pikërisht atëherë kur ka më së shumti nevojë,” deklaron Hamza, duke paralajmëruar masa konkrete për të gjitha kategoritë e shoqërisë.
Sipas tij, programi qeverisës parasheh krijimin e Fondit të Papunësisë, i cili do të sigurojë mbështetje të menjëhershme për qytetarët që humbin vendin e punës, si dhe formimin e Gjykatës së Punës, për t’u garantuar punëtorëve drejtësi pa zvarritje shumëvjeçare.
Hamza ka theksuar se do të ketë mbështetje të posaçme për lehonat, duke u garantuar siguri financiare dhe dinjitet, si dhe barna falas për qindra mijëra qytetarë që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme e programit, sipas tij, është Fondi i Bursave për Studentë, në vlerë prej 30 milionë eurosh, me synim mbështetjen e brezit të ri në arsimim, zhvillim dhe ndërtimin e së ardhmes.
“Me mua Kryeministër, asnjë qytetar nuk do të lihet pas. Unë jam Bedri Hamza, dhe ky është misioni im,” përfundon ai mesazhin, duke e mbyllur me sloganin e fushatës: Bashkë. Përpara.














