
Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ndarë me deputetët një përvojë të saj personale gjatë pjesëmarrjes në një Forum Ekonomik në Berlin, raporton Gazeta Sinjali.
Bajrami ka deklaruar para deputetëve se ajo ua ka bërë me dije të pranishmëve në Berlin se babai i saj para 50 viteve ka pasur mundësi të udhëtojë me tren nga Peja në Gjermani, pa pasur nevojë për vizë.
Por sipas saj, të njëjtën gjë s’mund ta bëjnë sot nipërit dhe mbesat e tij.
“Baba im në vitet 70 ka hypë në tren në Pejë dhe ka udhëtu në Mynhen. Nipat e mbesat e tij sot e shohin Gjermaninë veç në televizor, në internet e në rrjete sociale. Për ta Gjermania është mollë e ndalume”, tha ajo para deputetëve.
Bajrami tutje ka thënë se kur diçka është e ndaluar, gjithmonë bëhet më e dëshirueshme, duke bërë kështu që shumë të rinj të ndjekin rrugë ilegale për të shkuar në vendet e perëndimit.











