Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka nisur fjalimin e tij në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të PDK-së.
“Është kënaqësi që sonte po takohemi edhe një herë. Që po bëhemi bashkë edhe një herë, në fund të kësaj fushate të mrekullueshme. Të kësaj fushate plot entuziazëm dhe energji. Të kësaj fushate plot ide për zhvillim, për punë e angazhim, për të bërë Kosovën vend më të mirë. Një Kosovë çfare e meritojmë të gjithë ne. Sonte nuk jemi mbledhur vetëm për ta përmbyllur fushatën tonë, por edhe për ta hapur një kapitull të ri për Kosovën. Një kapitull të unitetit. Një kapitull të zhvillimit dhe të dinjitetit. Një kapitull ku secili qytetar ndihet i respektuar, i përfaqësuar dhe i sigurt për të ardhmen”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se janë bashkë për tu pajtuar me një vendim të përbashkët për të ardhmen e Kosovës.
“Për një vendim që nuk merret në këtë skenë. Por, merret të dielën. Një vendim që merret nga ju, kur të dilni dhe të votoni për numrin 130. Një vendim për një qeveri që i dëgjon qytetarët dhe punon për ta”, ka thënë ai.












