Kandidatja për deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka reaguar pas rezultatit të dobët të partisë së saj në zgjedhjet nacionale të mbajtura sot.
Ajo ka theksuar se beteja për shtetin nuk fillon e as nuk mbaron me një rezultat zgjedhor, duke shtuar se LDK-ja nuk është krijuar për beteja afatshkurtra, por është një forcë e qëndrueshme, sikurse Republika që ka ndërtuar.
“E di që ka dhimbje sot, por beteja për shtetin nuk fillon e as nuk mbaron me një rezultat zgjedhor. LDK-ja as nuk ka lindur, as nuk është ndalur për beteja afatshkurtra. Është e përhershme, sikurse Republika që ka ndërtuar”, ka shkruar Kica Xhelili.
Ajo gjithashtu i ka falënderuar votuesit e LDK-së për besimin dhe mbështetjen e tyre.
“Faleminderit atyre që na besuan dhe na mbajnë të fortë. Faleminderit edhe atyre që na dhanë shkas për reflektim. Arsyeja për të qëndruar bashkë nuk ka ndryshuar. Kokën lart”, ka shtuar ajo.












