Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar veprimet e fundit të Shteteve të Bashkuara ndaj regjimit të Venezuelës, duke i cilësuar ato si një shembull të rëndësishëm të lidershipit global amerikan dhe përkushtimit të palëkundur ndaj parimeve të sundimit të ligjit.
Haradinaj theksoi se mesazhi i dërguar nga SHBA është i qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe nuk do të tolerohen regjime që mbijetojnë përmes bashkëpunimit me krimin e organizuar ndërkombëtar. Ai shtoi se veprimet e Shteteve të Bashkuara, nën udhëheqjen e Presidentit Donald Trump, riafirmojnë angazhimin për përgjegjësinë globale dhe mbrojtjen e parimeve universale të drejtësisë.
Në një postim në Facebook, Haradinaj bëri thirrje që Kosova të vazhdojë të qëndrojë e rreshtuar krah vlerave demokratike dhe pranë aleatëve të saj strategjikë, veçanërisht SHBA-së, të cilat mbeten garant i lirisë, paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar.










