Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Diaspora që voton dhe ikën

05/01/2026 - 14:01
në Opinione
A A
Për dy vëllezërit e vetëvrarë: Arbnor dhe Astrit Dehari
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Shkruan: Baton Haxhiu

Diaspora si mit elektoral, shumicë e përkohshme dhe votë pa kosto

Para se të flitet për simbolikë, nacionalizëm apo mit elektoral, duhet thënë një fakt që rrallë artikulohet hapur. Diaspora nuk është vetëm votuese. Ajo është edhe financuese. Për vite me radhë, ajo ka mbajtur familje të tëra në Kosovë përmes remitancave, duke zëvendësuar shpesh shtetin, tregun e punës dhe politikat sociale. Por në momentin e zgjedhjeve, këto para shndërrohen në presion politik. Vota nuk kërkohet, imponohet. Jo si debat, por si detyrim moral. Jo si bindje, por si kusht. Kjo është pika ku ndihma ekonomike kthehet në instrument pushteti dhe ku solidariteti degradohet në keqpërdorim brutal politik.

Diaspora nuk ushtron ndikim vetëm përmes votës. Ajo e ushtron atë përmes parasë. Remitancat që, për vite me radhë kanë mbajtur familje, kanë zëvendësuar shtetin dhe kanë amortizuar varfërinë, në zgjedhje shndërrohen në mjet presioni. Vota e rezidentëve shpesh nuk është zgjedhje e lirë politike, por refleks i një varësie ekonomike. Këtu ndodh keqpërdorimi më brutal. Paraja që duhej të ishte ndihmë kthehet në kushtëzim. Dhe demokracia, në vend që të jetë shprehje e vullnetit të lirë, reduktohet në zgjatim të transfertës mujore. Në këtë pikë, problemi nuk është vetëm vota që vjen nga jashtë, por vota që blihet nga brenda përmes frikës së humbjes së mbështetjes. Ky nuk është solidaritet kombëtar. Është feudalizëm modern me bankë perëndimore.

Prandaj, në këto zgjedhje, diaspora ka votuar masivisht, si përmes votës me postë ashtu edhe përmes ardhjeve të përkohshme në Kosovë gjatë periudhës së pushimeve. Dhjetëra mijëra vota të ardhura nga jashtë, të kombinuara me mbi treqind mijë hyrje në vend për pushim dhe votim, kanë prodhuar një ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatin zgjedhor dhe në krijimin e shumicës politike. Kjo pjesëmarrje, formalisht legjitime, ka ndërtuar një realitet politik të veçantë, pra një shumicë që krijohet nga ata që nuk jetojnë përditshmërinë e shtetit, një votë që ushtrohet pa kosto të drejtpërdrejtë dhe një mit elektoral që mbështetet më shumë në simbolikë sesa në përmbajtjen e jetës shtetërore. Diaspora vjen, voton, krijon diferencën dhe largohet, ndërsa pasojat politike, ekonomike dhe shoqërore mbesin për ata që jetojnë në Kosovë. Pikërisht ky tension mes votës si e drejtë dhe votës si barrë është boshti i problemeve që duhet sqaruar.

Diaspora nuk voton gabim sepse nuk e do Kosovën. Ajo voton ndryshe sepse nuk jeton në të njëjtën kohë historike me Kosovën. Kjo është pika kyçe që mungon në shumicën e debatit publik paszgjedhor. Kur flasim për votën masive të diasporës për Albin Kurtin nuk kemi të bëjmë thjesht me një preferencë politike, por me një përplasje kohësh historike. Kosova që jetojnë rezidentët është një Kosovë e institucioneve të lodhura, e ekonomisë së brishtë, e izolimit diplomatik dhe e ankthit permanent për stabilitet. Kosova që voton diaspora është Kosovë simbolike, e ngrirë në momentin e luftës, të padrejtësisë historike dhe të narrativës së rezistencës.

Diaspora gjykon mbi simbolikën sepse simbolika është forma më e pastër e lidhjes me atdheun kur nuk e jeton përditshmërinë e tij. Nacionalizmi që ajo shpreh sot nuk është domosdoshmërisht i rrezikshëm në vetvete, por është një nacionalizëm i vonuar historikisht. Nacionalizëm gati primitiv. Nacionalizmi ka qenë funksional kur popujt kanë luftuar për identitet, kur janë shpërbërë perandoritë dhe kur kufijtë kanë qenë ende objekt betejash. Në atë fazë historike, nacionalizmi ishte mjet emancipimi. Sot, për Kosovën, kjo fazë është e përfunduar. Shteti ekziston. Çështja nuk është më identiteti, por qeverisja.

Këtu lind hendeku themelor. Diaspora sillet politikisht sikur Kosova të ishte ende në vitin 1998, ndërsa rezidentët jetojnë në një Kosovë që kërkon stabilitet, punë, mirëqenie dhe normalitet institucional. Për këtë arsye, vota e diasporës është votë për qëndrim moral, jo për qeverisje konkrete. Qëndrimi është gjithmonë më i lehtë se qeverisja, sepse nuk kërkon kompromis dhe nuk prodhon përgjegjësi personale.

Kur diaspora voton për ndërhyrje policore në veri, ajo voton për një akt force që nuk e paguan vetë. Nuk jeton me tensionet e përditshme, nuk e përjeton izolimin ndërkombëtar, nuk e bart frikën e një përshkallëzimi dhe nuk e ndien pasigurinë ekonomike që prodhon çdo krizë politike. Kjo është ajo që në filozofinë politike quhet vendimmarrje pa kosto personale. Është moralizim nga distanca, ku akti politik shndërrohet në gjest etik abstrakt, pa barrë reale.

Paradoksi thellohet edhe më shumë kur shihet se diaspora jeton në shoqëri perëndimore të konsoliduara. Ajo jeton në shtete ku kompromisi është vlerë, ku institucionet funksionojnë mbi bazën e pragmatizmit dhe ku stabiliteti është kusht i mirëqenies. Por këtë përvojë nuk e përkthen në votën e saj për Kosovën. Arsyeja është e thjeshtë dhe e hidhur. Diaspora nuk e ka përvetësuar kulturën politike perëndimore. Ajo ka përvetësuar vetëm sigurinë ekonomike të Perëndimit. Shumë segmente të saj jetojnë në enklava sociale, në rrjete etnike dhe në diskurse të mbyllura që e riprodhojnë Kosovën si mit, jo si shtet që duhet menaxhuar.

Kjo e shndërron votën e diasporës në një ndërhyrje elektorale të pabarabartë. Ata vijnë, votojnë, krijojnë shumicën dhe largohen. Rezidentët mbesin me pasojat. Me korrupsionin që relativizohet, me izolimin që justifikohet, me tensionet që normalizohen dhe me frikën që bëhet pjesë e përditshmërisë. Kjo nuk është pabarazi juridike e votës, por pabarazi morale e saj. Sepse një votë që nuk bart pasojat nuk është e barabartë me një votë që jeton çdo ditë me to.

Ky fenomen nuk është as shqiptar dhe as i ri. Diaspora shqiptare dikur e ndihmonte UÇK-në nga distanca. Diaspora kroate ishte shumë më nacionaliste se vetë Kroacia. Çdo diasporë, pa përjashtim, është më radikale se shoqëria që ka lënë pas, sepse ajo ruan mitin, ndërsa rezidentët jetojnë realitetin. Miti është gjithmonë më i pastër, më heroik dhe më i drejtë se realiteti i ndotur nga kompromiset.

Prandaj, vota masive e diasporës për Kurtin nuk duhet lexuar si votë për një program qeverisës, por si votë për një figurë simbolike që mishëron konfliktin, qëndrimin dhe refuzimin e kompromisit. Diaspora nuk voton për shtetin që ekziston, por për shtetin që ajo dëshiron ta ruajë në kujtesë.

JU REKOMANDOJMË

Mos ia hiqni Albin Kurtit meritat për protestat në Tiranë

Mos ia hiqni Albin Kurtit meritat për protestat në Tiranë
22/06/2026 - 16:38

Ky debat rreth qytetarëve shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë që vijnë në protestë është shumë hipokrit. Përpjekja e Edi Ramës për t’i distancuar ata...

Më shumëDetails

Peci qeverisë: Pranojeni gazin amerikan, mos luani me të ardhmen e Kosovës

Peci qeverisë: Pranojeni gazin amerikan, mos luani me të ardhmen e Kosovës
20/06/2026 - 21:52

Analisti politik Lulzim Peci ka kritikuar qasjen e Qeverisë së Kosovës ndaj projektit të gazit amerikan, duke e cilësuar atë si “aventurën më të madhe politike që nga...

Më shumëDetails

Si mund ta ripërcaktojë energjia rolin e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor

Maliqi: Një Serbi nën ndikimin dhe varësinë prej NATO-s dhe BE-së është mbi të gjitha në interes të Kosovës
20/06/2026 - 15:47

Shkruan: Agon Maliqi Që nga momenti kur administrata Trump mori detyrën në janar të 2025-ës, vëzhguesit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë kanë pyetur veten nëse politika e...

Më shumëDetails

Cila është e vërteta për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe rolin e “SHOQËRISË CIVILE “

11/06/2026 - 14:09

Shkruan: Muhamet Mustafa CILA ËSHTË E VËRTETA PËR NDËRTIMIN E KAPACITETEVE TË REJA ENERGJETIKE DHE ROLIN E “SHOQËRISË CIVILE “ Çka parashihte “Strategjia e zhvillimit te energjisë 2005-2015”...

Më shumëDetails

DITA BOTËRORE E MJEDISIT

DITA BOTËRORE E MJEDISIT
05/06/2026 - 11:03

Shkruan: Msc. Labinot Smakaj  I. Një shoqëri mund të mbijetojë përkohësisht edhe pa stabilitet politik dhe ekonomik, por nuk mund të mbijetojë pa ujë të pastër, ajër të...

Më shumëDetails

Shukrije Obërtinca, 16-vjeçarja që dha jetën për lirinë e Kosovës

Shukrije Obërtinca, 16-vjeçarja që dha jetën për lirinë e Kosovës
03/06/2026 - 12:07

Shkruan: Albina Dajaku: Vajza e re nga Fushë Kosova, ajo që la pas bankat e shkollës, dëshirën për mjekësi, kursin e frizerisë dhe ëndrrat e tjera e u...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Fatmir e Esat Likaj, Arben Mikullovci … – Ja kush janë biznesmenët që po e ndërtojnë kompleksin në Prizren ku vdiq punëtori nga goditja e kranit

    Fatmir e Esat Likaj, Arben Mikullovci … – Ja kush janë biznesmenët që po e ndërtojnë kompleksin në Prizren ku vdiq punëtori nga goditja e kranit

    133 Shpërndaje
    Shpërndaje 53 Tweet 33
  • Mërgimtarja nga Kosova humb jetën në një aksident

    110 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 28
  • Deschamps largohet urgjentisht nga kampi i ekipit kombëtar francez

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23
  • Kjo degë e LDK-së i jep mbështetje Lumir Abdixhikut

    86 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 22
  • 4 projekte infrastrukturore, Basha njofton vendimet e qeverisë

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë