Gjatë hulumtimit për mënyrën se si funksionojnë institucionet private shëndetësore, Veriu.info ka siguruar raportin e Inspektoratit Shëndetësor për Ambulancën Stomatologjike “AM Dental Clinic” në Lipjan. Raporti zbulon se klinika ofronte shërbime implantologjie pa qenë e licencuar për to, punonte me mjekë të palajmëruar dhe nuk i regjistronte pacientët siç e kërkon ligji.
Inspektimi nisi pas ankesës së një pacienti me inicialet I.Z. Ky pacient kishte paguar mijëra euro për implante dentare dhe kishte përfunduar me inflamacion rreth implantit. Raporti me referencë 10/KK-03-26, i datës 29 janar 2026, është nënshkruar nga inspektori shëndetësor Dr. Kushtrim Kelmeni.


Implante pa licencë, me emra pacientësh në kuti
Klinika e licencuar me numër 241/2023 nuk e kishte të regjistruar shërbimin e implanteve në Divizionin për Licencim dhe Akreditim (DLA) të Ministrisë së Shëndetësisë. Megjithatë, inspektorët gjetën në klinikë aparaturën për vendosjen e implanteve (fiziodispenser), si dhe implante dhe abutmente me emra pacientësh të shkruar mbi kuti.


“Gjatë inspektimit u gjetën prova të ofrimit të shërbimit të implanteve, që punohen në këtë IPSH, kurse në DLA nuk është i regjistruar si shërbim“, thuhet në raportin e Inspektoratit.
Inspektorët konstatuan gjithashtu se implantet e vendosura nuk ishin të regjistruara në protokollin e pacientëve.
Mjekë që punonin pa qenë të lajmëruar
Gjatë inspektimit të 8 janarit 2026, në klinikë ishte i pranishëm Dr. Musli Sadiku, doktor i stomatologjisë. Sipas raportit, ai nuk ishte i lajmëruar si personel i kësaj klinike në DLA/MSh.
I vetmi mjek i lajmëruar ishte Dr. Alban Isufi. Infermierja që figuronte në sistem si personel i klinikës, ishte larguar më herët nga puna.
6 implante, 24 kurora zirkoni, 8.500 euro
Raportet mjekësore të klinikës, që pacienti ia dorëzoi Inspektoratit, përshkruajnë një trajtim të madh kirurgjik dhe protetik në të dy nofullat:
- vendosje të 6 implanteve dentare;
- nxjerrje dhëmbësh;
- rrafshim kirurgjik të kockës;
- 12 abutmente multi-unit;
- 24 kurora zirkoni.

Në raportin me vulën e “AM Dental Clinic” shënohet edhe çmimi: 8.500 euro gjithsej, prej të cilave 4.000 euro të paguara dhe 4.500 euro ende të papaguara.
Por regjistri i pacientëve tregon një histori tjetër. Pacienti I.Z. figuron i regjistruar vetëm më 27 maj 2025. Vizitat e 12 qershorit, 18 qershorit dhe 5 gushtit 2025 nuk janë as në regjistër, as në sistemin elektronik të klinikës. Inspektorati e konstaton këtë si shkelje të nenit 52 të Ligjit për Shëndetësi.
Në regjistër mungonin edhe datëlindja, adresa dhe numri personal i pacientëve.

Pacienti përfundon në QKUK me inflamacion rreth implantit
Më 21 gusht 2025, pacienti u paraqit në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës. Atje iu diagnostikua periimplantitis, inflamacion i indeve rreth implantit, te dhëmbi 12, dhe ai ankohej për dhimbje.
Mjekët e Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës (QKSUK) kërkuan “raport me shkrim nga doktori që ka vendosur implantet, për të shpjeguar procedurën terapeutike dhe ecurinë e terapisë“.

Klinika: “Kemi shërbyer vetëm si urë ndërlidhëse”
Në deklaratën me shkrim dërguar Inspektoratit më 9 janar 2026, klinika mohon se ka vendosur implantet. Sipas saj:
- pacientin e kanë parë vetëm një herë, për kontroll;
- trajtimin e mëtejshëm e ka kryer kirurgu Dr. Besim Hajdari, me aparaturën dhe mjetet e tij;
- me pacientin kanë lidhje familjare, prandaj u bënë ndërmjetës.
“Ne kemi shërbyer vetëm si urë ndërlidhëse mes pacientit, të cilin e njohim dhe me të cilin kemi lidhje familjare, dhe kirurgut“, thuhet në deklaratë.
Klinika pretendon se implantet dhe instrumentet e gjetura janë “investim paraprak”, të blera me ofertë nga një depo dentare, dhe se nuk janë përdorur kurrë.


Por dokumentet e vetë klinikës thonë ndryshe
Raporti mjekësor i datës 5 gusht 2025, me vulën dhe nënshkrimin e klinikës, e përshkruan trajtimin si të kryer në “AM Dental Clinic”:
- më 12 qershor 2025 “u planifikua ndërhyrja” për heqjen e dhëmbëve dhe vendosjen e implanteve;
- më 18 qershor “pacienti u thirr për kontroll pas ndërhyrjes kirurgjikale”;
- u planifikuan kontrolle javore, dhe kontrolla e radhës u caktua për 9 gusht.
Pra, sipas dokumentit të vetë klinikës, pacienti u trajtua aty me muaj, jo vetëm në një kontrollë.

Raporti që klinika i dërgoi Inspektoratit pas inspektimit ka edhe një fjali që nuk gjendet në raportet që pacienti kishte marrë më herët: “çdo punë është përfunduar nga Dr. Besim Hajdari“.
Edhe Dr. Besim Hajdari, sipas raportit, nuk është i lajmëruar si personel në këtë klinikë.
Receta antibiotikësh pa vulë dhe pa nënshkrim
Në dosjen e Inspektoratit janë bashkëngjitur edhe receta të klinikës për antibiotikë, si Amoxiclav dhe Azitromicinë. Ato nuk kanë vulë, nuk kanë nënshkrim të mjekut përgjegjës dhe nuk kanë emër pacienti.
Inspektorati ndalon implantet dhe punën e dy mjekëve
Inspektorati vendosi këto masa:
- ndalohet ofrimi i implanteve deri në regjistrimin e shërbimit në DLA/MSh;
- ndalohen Dr. Musli Sadiku dhe Dr. Besim Hajdari të ofrojnë shërbime në këtë klinikë derisa të lajmërohen si personel.
Klinika u obligua ta plotësojë regjistrin e pacientëve dhe ta njoftojë Inspektoratin brenda 30 ditëve për zbatimin e rekomandimeve. Përndryshe, do të merren “masa shtesë sipas Ligjit për Shëndetësi”.
Inspektorati ia ka dërguar rastin edhe Këshillit Etiko-Profesional të Odës së Stomatologëve të Kosovës, për vlerësim profesional të trajtimit të pacientit nga Dr. Besim Hajdari, Dr. Alban Isufi dhe Dr. Musli Sadiku.

Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga A M Dental Clinic për këtë raport inspektimi të Inspektoratit Shëndetësor, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.
Ndryshe, A M Dental Clinic SH.P.K. është kompani që vepron në Lipjan me pronar Shkumbin Isufi, i cili zotëron 100% të aksioneve. Si aktivitet kryesor në ARBK ka të regjistruar aktivitetet e dentistëve.
LEXONI EDHE:














