Në Klinë në fshatin Deiq, në vendin e njohur si “Te ura e Haxhisë” autoritetet komunale po intervenojnë në heqjen e disa pengesave për lirimin e kanalit. Kryetari i Klinës, Zenun Elezaj i ka thënë RTK-së se gjendja vazhdon të jetë e brishtë.
Në këtë lokacion policia ka bllokuar rrugën përkohësisht derisa ekipet në terren të kryejnë punimet në lirimin e kanalit për qarkullim të ujit.
Kërkesë për evakuim nga banorët nuk ka pasur, theksoi tutje Elezaj, derisa tha se qytetarët kanë shfaqur vetëdijesim të duhur sa i përket kësaj situate. Në furnizim me ujë të pijshëm aktualisht kjo komunë qëndron mirë.
Elezaj, tutje tha se nga sot qytetarët e kësaj komune mund të raportojnë për dëmet e shkaktuara. Në një rrethanë kur situata të qetësohet, komuna do të dalë në verifikim të dëmeve te shkaktuara e që, sipas Elezajt, janë kryesisht biznese e toka bujqësore, por po ashtu ka edhe shtëpi banimi.










