Tri herë u alarmua për bombë.
E po kaq herë, hetimet e Policisë nxorën se nuk pati asgjë të rrezikshme të Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.
Alarmet e rrjeshme, organeve të rendit u erdhen përmes telefonit. Megjithatë thirrësi provokues mbetet akoma i panjohur e në liri.
Krejt çka thanë nga Policia është se po punojnë për zbardhjen e rastit.
“Rastet janë duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë përkatëse, sapo të ketë ndonjë detaj që mund të ndajmë me ju do t’i përcjellim”, thuhet në përgjigjen e PK-së për “Front Online”.
Pavarësisht se askush nuk është arrestuar, nga ndërmarrja e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë thonë se udhëtarët s`duhet të shqetësohen.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të ndërmarrjes, Arianit Grezda thotë se hapësira monitorohet nga 55 kamera.
E ky beson fort edhe në punën e organeve të rendit.
“Pasagjerët nuk kanë ndonjë arsye që të ndjehen të pasigurt pasi që organet e sigurisë janë gjithmonë në dispozicion për parandalimin e ndonjë akti të tillë”, u shpreh ai për “Front Online”.
Stacioni i Autobusëve në Prishtinë është një ndërmarrje publike e cila merret me transportin e udhëtarëve. Siguron lidhje me gjithë Kosovën si dhe një varg destinacionesh të tjera të huaja.













