Avokati Ardian Bajraktari është deklaruar për deklaratat përmbyllëse në gjykimin e madh për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
“Tashme janë caktuar dhe bërë publike datat e paraqitjes së deklaratave përmbyllëse të palëve në procesin gjyqësor ndaj katërshes së UÇK-së, proces i cili do të bëhet nga data 9 deri më 18 shkurt 2026. Referuar dispozitave të rregullores së procedurës dhe të provave, ky është veprim i fundit procedural i ballafaqimit të palëve, e ku fokusi i deklaratave përmbyllëse janë dëshmitë e pranuara dhe besueshmëria e tyre, përfshirë besueshmërinë e dëshmitarëve si dhe dokumentacionin e procesit dhe natyrisht dispozitat ligjore relevante. Në këtë aspekt, mbrojtja është në avantazh të theksuar për sa i përket çështjes së dëshmive, qoftë dokumenteve që ka ofruar, përfshirë raporte e kabllograme të administratës amerikane, por edhe dëshmi e dëshmitarë protagonistë të ngjarjeve, e mbi të gjitha me reputacion të lartë, rrjedhimisht shumë bindës dhe të besueshëm”, ka shkruar Bajraktari.











