Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Florian Dushi, ka reaguar pas mbledhjes së gjatë të kryesisë së ngushtë, ku u bë e ditur se Lumir Abdixhiku ka ofruar dorëheqjen e tij në kuvend.
Dushi me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se reflektimi s’duhet të jetë ndëshkim dhe se asnjë, siç u shpreh ai, “unë” nuk qëndron mbi LDK’në, shkruan Insajderi.
“Asnjë “unë” nuk qëndron mbi LDK-në, parti e angazhimit dhe e sakrificës historike, e në anën tjetër uniteti nuk është slogan, por parakusht për ringritjen tonë. Ai nuk ndërtohet duke heshtur problemet, por duke i adresuar me përgjegjësi dhe respekt. LDK nuk mbrohet duke mbyllur sytë e bërë kalkulime, por duke punuar së bashku, pa humbur nga fokusi qëllimin tonë të përbashkët: rritjen, fuqizimin dhe rikthimin e LDK-së si alternativa serioze e Kosovës së nesërme”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka ofruar dorëheqjen e tij si i pari i partisë, por ka thënë se i mbetet Kuvendit të LDK-së të vendosë.
Pas një mbledhjeje që zgjati mbi pesë orë me drejtuesit kryesorë të partisë, Abdixhiku doli me një deklaratë lidhur për rezultatin LDK-së në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Siç ju kam njoftu në datën 28 dhjetor 2025, edhe sonte ju njoftoj se kemi vendosur të thërrasim fillimisht Kryesinë dhe më pas Kuvendin e LDK-së. E kam obligim moral të marrë përgjegjësinë dhe, nëpërmjet ofrimit të dorëheqjes te Kuvendi i LDK-së, të lë që pastaj të vendosë Kuvendi. Deri atëherë, secili ka të drejtë të shtrojë kandidaturën. Ky ishte takim joformal i kryetarit të LDK-së me bashkëpunëtorët e LDK-së. Takimi formal do të ndodhë javën e ardhshme”, tha Abdixhiku.














