Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vijon procesi i rinumërimit të fletëvotimeve për ato vendvotime për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim të posaçëm.
Nga rinumërimi në komunën e Prizrenit kanë dalë në pah ndryshime të ndjeshme, përfshirë edhe lëvizje mandatesh. Në radhët e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), kryetari i partisë, njëherësh dhe ministri në detyrë, Fikrim Damka, aktualisht rezulton se po e humb mandatin, si pasojë e votave që dyshohet se janë të manipuluara. Mandati, sipas të dhënave të deritanishme, i kalon Ergul Mazrekut, i cili tani figuron si deputet i Kuvendit.

Kandidatëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Paris Guri, Gëzim Hazrolli dhe Festim Kabashi i janë shtuar dhjetëra vota, kryesisht nga Prizreni.
Në anën tjetër, si përfitues kryesorë nga këto vota të dyshimta po dalin kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Driton Selmanaj, si dhe kandidati Xhavit Uka.











