Procesi i rinumërimit të votave, po nxjerr në pah gabime të shumta sa i përket numrit të votave për kandidatët për deputet.
Si rrjedhojë e këtij procesi një diferencë e madhe e votave të disa kandidatëve është hasur në Prizren, që ka bërë që Prokuroria Themelore e Prizrenit të vihet në lëvizje.
Petrit Kryeziu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka bërë të ditur për Telegrafin se sot me iniciativë të tij ka dhënë autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të nisë hetimet për manipulimet e dyshuara në procesin zgjedhor.
“Sot në cilësinë e kryeprokurorit, me vetiniciativë kam lëshuar autorizim me shkrim për Policinë e Kosovës që të identifikojnë personat përgjegjës, të sigurojnë prova relevante, përfshirë procesverbalet dhe nënshkrimet,” tha Kryeziu.
Ai theksoi se çdo individ që ka ndryshuar rezultatin e votës ose ka falsifikuar dokumente zgjedhore do të përgjigjet penalisht.
“Çdo person që ka vendosur nënshkrimin e tij duke falsifikuar rezultatet zgjedhore dhe duke ndryshuar vullnetin e qytetarit, nuk duhet të qëndrojë i qetë, do të mbajë përgjegjësi të plotë penale,” tha Kryeziu.
Kryeprokurori shtoi se manipulimi i votës dhe falsifikimi i dokumenteve zgjedhore janë krim dhe do të ndëshkohen pa kompromis.
Prokuroria e Prizrenit ka nisur një hetim të plotë për të zbuluar çdo shkelje dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor. /Telegrafi










