Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, ka nisur veprime fillestare hetimore lidhur me veprat penale “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 256 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe “Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave” nga neni 257 i KPRK-së.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë për qëllim verifikimin e rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtimin shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku.
Në këtë drejtim, Policia e Kosovës fton të gjitha familjet dhe qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore, konsulta, terapi apo medikamente nga personi i lartcekur dhe që konsiderojnë se kanë pësuar dëm, qoftë material apo shëndetësor, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të rastit.













