Policia ka njoftuar se ka ndërmarrë veprime fillestare hetimore ndaj Arianit Sllamnikut, nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari mjekësore.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se janë kontrolluar pronat e tij, ku janë konfiskuar armë e medikamente.
“Përkatësisht ka kryer veprat penale: Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, dhe eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave të sanksionuara me KPRK”.
“Me qëllim të gjetjes dhe mbledhjes së provave, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, është ushtruar kontroll në pronat e të dyshuarit, ku prezent kanë qenë edhe inspektorët përkatës nga Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë asistuar hetuesit policorë për sa i përket medikamenteve farmaceutike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:
Dy armë zjarri të gjata (me leje përkatëse).
Dy armë zjarri te shkurtra (me leje përkatëse).
Sasi e municionit dhe disa karikatorë të armëve.
Medikamente të ndryshme.
Libra protokolli si dhe.
Pajisje elektronike (shtëpizë kompjuteri, telefon, microçipa)etj.
I dyshuari, sipas policisë është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.












