Art Hasani, djali i kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Nait Hasanit, ishte kryesues i një tavoline të numërimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, tha të premten avokati i tij, Anton Çuperjani.
Çuperjani tha për portalin Kallxo.com se klienti i tij, Art Hasani, është i pafajshëm ngase i njëjti si kryesues i një tavoline numërimi në QNR nuk ka pasur të drejtë të plotësojë votat e kandidatëve të PDK-së.
“Si kryesues, ai nuk ka pasur të drejtë të numërojë votat e PDK-së”, tha avokati.
Ai tha se klienti i tij është ndaluar nga policia të premten nën dyshimin për falsifikim të votave.
“Është ndaluar, nuk është arrestuar. Ai me vullnet të lirë ka shkuar në stacionin policor dhe nga aty është ndaluar”, tha ai. “I njëjti dyshohet për veprën penale të falsifikimit të votave”.
“I njëjti ka qenë nga PDK në cilësinë e kryesuesit, ku në tavolinën të cilën ai e ka kryesuar kanë qenë edhe pesë anëtarë të tjerë nga partitë politike si LDK, Vetëvendosje dhe parti të tjera”, tha avokati Çuperjani.













