Me urdhër të Prokurorisë Speciale, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G dhe R.Z, nën dyshimet për përfshirje në vepra të rënda penale që lidhen me keqpërdorimin e detyrës zyrtare dhe prokurimin publik.
Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari A.G po hetohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragrafi 1, në lidhje me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndërkohë, R.Z dyshohet për “Keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik”, nga neni 415 paragrafi 3 në lidhje me paragrafin 1 të KPRK-së.
Gazeta Insajderi merr vesh se rasti ka të bëjë lidhur me një tender të dyshimtë, në vlerë prej afro 400 mijë eurove, për blerjen e pesë kamionëve dhe një autofshese.
Tenderi ishte shpallur në mënyrë emergjente. Megjithatë, sipas burimeve përbrenda hetuesisë, këta kamionë s’ishin përdorur fare.
Prokuroria Speciale bën të ditur se urdhri për kontroll është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural në kuadër të hetimeve që janë duke u zhvilluar lidhur me dyshimet për parregullsi në një aktivitet tenderimi.
Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, autoritetet kanë gjetur dhe sekuestruar prova materiale, përfshirë një pushkë automatike AK-47, si dhe para të gatshme.














