Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci, gjendet aktualisht në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Sipas informacioneve të VOX Kosova, Peci gjendet brenda objektit të organit më të lartë të akuzës në Kosovë që nga ora 09:30 në mëngjes. Ende nuk dihet nëse ai është duke u intervistuar atje.
Në cilësinë e Ministrit të Bujqësisë, Peci vitin e kaluar ishte marrë në pyetje për disa orë rresht si i dyshuar nga Prokurorët Specialë. Intervistimi ndodhte pas bastisjeve që ishin kryer në katër lokacione në lidhje me kontratën për dhënien me qira të Fabrikës për mbetjet shtazore.
Peci kishte nënshkruar një kontratë që dyshohet për shkelje ligjore me kompaninë LIP KS & IT për t’ia dhënë me qira fabrikën e nënprodukteve shtazore. Me këtë kontratë, dyshohet se i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit 60 milionë euro.













