Përfaqësuesit e platformës “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, janë pritur në takim nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili u ka dhënë mbështetje për Marshin “Drejtësi, jo politikë”, që do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë, në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
Hoxha dhe Tasholli e kanë njoftuar kryetarin Bulliqi me misionin e platformës “Liria ka Emër” dhe me aktivitetet në kuadër të fushatës së mobilizimit qytetar për këtë Marsh.
“Marshi “Drejtësi, jo politikë” është një mesazh i fuqishëm kundër shndërrimit të drejtësisë në instrument politik”, tha Hoxha.
Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi u zotua se kjo komunë dhe qytetarët e saj do të mobilizohen për pjesëmarrje masive në këtë Marsh.
“Angazhimi ynë si komunë është i qartë. Ne do ta përkrahim këtë iniciativë, sepse besojmë se vetëm me solidaritet dhe pjesëmarrje masive mund të mbrojmë idealet që na kanë sjellë lirinë”, është shprehur Bulliqi.













