Në kuadër të hulumtimeve për parregullsitë në sektorin privat të shëndetësisë, Veriu.info ka siguruar një raport inspektimi dhe një vendim të Inspektoratit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë, me të cilin spitalit “Sante Plus Hospitals” në Prishtinë, me themelues Bilal Kara, i është ndaluar ofrimi i çdo shërbimi shëndetësor dhe njëkohësisht është gjobitur me 10 mijë euro.
Në vendim thuhet se inspektimi është realizuar më datë 20.05.2025, pas ankesës së pacientes F.Ll., e cila ishte ankuar se ka shkuar në “Sante Plus” për të bërë botoks në ballë për rrudha, por që, sipas saj, në vend të botoksit i kanë mbushur ballin me ujë dhe nuk ka pasur kurrfarë efekti.


Tutje, në arsyetimin e vendimit me të cilin është ndaluar ofrimi i shërbimeve shëndetësore dhe është shqiptuar gjoba, bëhet e ditur se pas fillimit të inspektimit sipas ankesës, inspektorët shëndetësorë vërejtën që “Sante Plus” ka rrezikuar shëndetin dhe sigurinë publike, duke bërë shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, me ç’rast e zgjeruan inspektimin me qëllim të evitimit të kërcënimit për shëndetin e pacientëve. Në raport, inspektorët theksojnë faktin se ata janë penguar në kryerjen e detyrave nga menaxherja e “Sante Plus”, Geriana Arapi, e cila është paraqitur edhe si stomatologe.
“Inspektorati Shëndetësor, gjatë kohës së inspektimit, konstatoi se subjekti privat shëndetësor ‘Sante Plus’, Rr. Nazmi Mustafa Nr. 2, në Prishtinë, ka ofruar shërbim shëndetësor pa i plotësuar kushtet ligjore për ofrim të shërbimeve shëndetësore, ka ofruar shërbim shëndetësor pa licencë për ofrim të shërbimeve nga Divizioni për Licencim dhe Akreditim të institucioneve private shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë, ka ofruar shërbime nga stafi i palicencuar nga Ministria e Shëndetësisë/Oda përkatëse e profesionistëve shëndetësorë, si dhe nuk ka regjistruar apo evidentuar shërbimet e ofruara shëndetësore, në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi”, thuhet në vendimin e siguruar nga Veriu.info.


Në fund të inspektimit, Inspektorati Shëndetësor i Republikës së Kosovës i ndalon “Sante Plus Hospitals” ofrimin e çdo shërbimi shëndetësor dhe në dyert hyrëse të dhomave ku ofrohej shërbimi (Kati I i këtij subjekti) u vendosën shenjat “Ndërprerje e përkohshme e veprimtarisë”.
Veriu.info ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë se a janë në fuqi akoma ndalesat për “Sante Plus”, ku përmes një përgjigjeje të kthyer nga Zyra për Informim e kësaj ministrie bëhet e ditur se ato janë ende në fuqi.
“Ju njoftojmë se pyetjet e drejtuara ndaj SPSh ‘Sante Plus’, bazuar në vendimin me numër protokolli 05-937, lidhur me ndalesat, vazhdojnë të jenë në fuqi. SPSh ‘Sante Plus’ nuk ka përmbushur obligimet e saj ndaj Inspektoratit Shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë për Veriu.info.
Mirëpo, gjendja në terren është ndryshe, pasi që “Sante Plus” vazhdon të ofrojë të njëjtat shërbime sikurse para nxjerrjes së vendimit, të paktën vazhdon të ofrojë shërbimin e mbjelljes së flokëve dhe rimodelimit të hundës. Po ashtu, vazhdon në hyrje të mbajë reklamën me mbishkrimin “hospitals”, e cila i ishte ndaluar me vendimin numër 05-937 të datës 16.06.2025, vendim që është ende në fuqi.
Veriu.info ka siguruar fotografi të datës 23.01.2026, ku shihen këto mbishkrime në hyrje të objektit të “Sante Plus” në lagjen Pejton, në qendër të Prishtinës.


Çka gjeti Inspektorati Shëndetësor në “Sante Plus”
Gjatë inspektimit, nga përfaqësuesit e “Sante Plus”, inspektorëve shëndetësorë iu është prezantuar certifikata e biznesit të “Sante Plus Consultations Office Sh.P.K.”, që aktivitet kryesor të biznesit ka “Përpunimi i të dhënave, hostimi i informacionit dhe aktivitete të lidhura me to” dhe aktivitet sekondar “Shërbimet e tjera të informacionit p.k.t.”.
Në raport thuhet se inspektorëve shëndetësorë iu është ofruar edhe certifikata e regjistrimit për biznesin “Sante Plus Hospitals”, me pronar Bilal Kara dhe drejtor menaxhues Albana Fetiu, ku pas verifikimit në sistemin elektronik të Divizionit për Licencimin dhe Akreditimin e institucioneve private shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë është konstatuar se këtij subjekti privat shëndetësor, me datën 24.01.2024, i është pezulluar licenca.


Pavarësisht faktit se për më shumë se një vit nuk kishte licencë të ushtronte veprimtarinë, “Sante Plus Hospitals” vazhdonte të kishte emrin në kulmin e objektit, në hyrje ishte vendosur pllakati me emërtimin “Sante Plus Hospitals, Ambulanca stomatologjike” (edhe kjo e pezulluar më 14.12.2023), si dhe reklamat për mbjellje të flokëve, reklamat për rimodelim të hundës, reklamat për eliminim të kataraktës së syrit dhe reklamat për shërbime dentare, implante dentare, kurora dentare, zbardhim të dhëmbëve dhe pastrim të dhëmbëve. Ndërsa, në hyrje të Katit II, inspektorët kishin gjetur se ky subjekt kishte vendosur pllakat me emërtimin “Sante Plus Hospitals, Stomatologji, Laser, Body Slimming dhe Hair Transplant”.

Gjatë kohës së inspektimit, në hapësirat e këtij subjekti, në vendin e punës ishte edhe Geriana Arapi, e cila gjatë kohës së inspektimit kishte refuzuar të legjitimohej para Inspektoratit Shëndetësor dhe e njëjta ishte prezantuar si stomatologe dhe menaxhere e këtij subjekti, licenca apo diploma e së cilës nuk ishte prezantuar gjatë kohës së inspektimit, as deri në datën e dorëzimit të këtij raporti.
“Inspektorati Shëndetësor, me datën 31.05.2025, ka verifikuar regjistrin e stomatologëve të licencuar nga Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë, në të cilin kemi kërkuar praninë e znj. Geriana Arapi, e cila figuron në këtë regjistër, ndërsa licenca profesionale e punës për ushtrim të veprimtarisë shëndetësore në Republikën e Shqipërisë figuron e skaduar nga data 28.02.2022. Inspektorati Shëndetësor ka vazhduar me verifikimin e regjistrit të anëtarëve të Odës së Stomatologëve të Kosovës, në të cilin nuk figuron znj. Geriana Arapi”, thuhet në raportin e siguruar nga Veriu.info.
Përkundër që nuk kishte licencë për asnjë veprimtari shëndetësore, gjatë inspektimit në katin I të “Sante Plus” ishte gjetur edhe Formulari i konsentit për FUE (Follicular Unit Extraction), i shkruar në gjuhën shqipe, që mban logon e Sante Plus Hospitals Group, në të cilin është i përshkruar kujdesi pre- dhe postoperator për transplantin e folikuleve të flokëve, terapia postoperatorë dhe procesi i larjes për 10 ditë pas transplantimit.
Po ashtu janë gjetur edhe rezultate të testeve nga Sante Plus Hospitals në alfabetin cirilik, përfshirë HBs Ag, HCV dhe antitrupat HIV 1 dhe 2, bazuar në metodën imunokromatike për pacientin me inicialet B.Th., si dhe fletëlëshimi i datës 23.12.2024, i shkruar në gjuhën shqipe për pacientin me inicialet L.A., me diagnozë të pranuar, ku te rubrika “mjeku” figuron faksimili Sante Plus Hospitals, Dr. Zoran Bitrakovski, kirurg plastik.
Në dhomën ku ofrohej shërbim stomatologjik, gjatë kohës së inspektimit, janë gjetur të zbrazëta (të përdorura) dhe pako të pahapura të implanteve të dhëmbëve nga Turqia. Në raportin e inspektimit theksohet fakti se edhe kur “Sante Plus” ka pasur licencë, i ishte refuzuar dhe ndaluar ofrimi i shërbimit të implanteve të dhëmbëve dhe implanteve dentare protetike nga Bordi për Licencim dhe Akreditim i institucioneve private shëndetësore i Ministrisë së Shëndetësisë.
Për shkak të gjetjes së këtyre dhe shumë shkeljeve të tjera ligjore, Inspektorati Shëndetësor, përmes raportit të inspektimit me numër 05-936 të datës 16.06.2025 dhe vendimit të së njëjtës datë, ia ka ndaluar ofrimin e çfarëdo shërbimi shëndetësor subjektit privat “Sante Plus”, me themelues Bilal Kara.
Ndalesat e Inspektoratit Shëndetësor për Sante Plus Hospitals:
1) Ndalohet ofrimi i çdo shërbimi shëndetësor nga subjekti privat shëndetësor “Sante Plus”, me themelues z. Bilal Kara, me numër të biznesit 811847287, në Rr. Nazmi Mustafa Nr. 2, Prishtinë;
2) Ndalohet ofrimi i çdo konsulte mjekësore nga subjekti privat shëndetësor “Sante Plus”;
3) Ndalohet ofrimi i çdo shërbimi shëndetësor apo konsulte mjekësore nga znj. Geriana Arapi, znj. Erona Veseli, znj. Lirie Vallqi;
4) Ndalohet promovimi apo reklamimi i çfarëdo shërbimi shëndetësor apo konsulte mjekësore nga subjekti privat shëndetësor “Sante Plus”;
5) Nga kulmi i objektit të largohet pllakati me emrin e subjektit “Sante Plus Hospitals”;
6) Në hyrje të subjektit të largohet pllakati me emërtimin e subjektit “Sante Plus Hospitals, Ambulanca stomatologjike”;
7) Të largohen para hyrjes së objektit reklamat për mbjellje të flokëve, reklamat për rimodelim të hundës, reklamat për eliminim të kataraktës së syrit dhe reklamat për shërbime dentare, implante dentare, kurora dentare, zbardhim të dhëmbëve dhe pastrim të dhëmbëve;
8) Në pritore (Kati I), mbrapa recepsionit dhe në dhomën e konsultave (Kati I), të largohet emri i subjektit “Sante Plus Hospitals”;
9) Në katin I, të largohen reklamat për Sante Plus Hospitals Group;
10) Në hyrje të Katit II të këtij subjekti të largohet pllakati me emërtimin “Sante Plus Hospitals, Stomatologji, Laser, Body Slimming dhe Hair Transplant”.


Pra, edhe pse Inspektorati i ka ndaluar ofrimin e çdo shërbimi shëndetësor dhe promovimin e çfarëdo shërbimi shëndetësor apo konsulte mjekësore, “Sante Plus Hospitals”, me themelues turkun Bilal Kara, sfidon shtetin e Kosovës në mes të Prishtinës, duke vepruar të kundërtën, siç shihet edhe në fotografitë e datës 23.01.2026.
Kush janë Bilal Kara dhe Geriana Arapi?
Themeluesi i “Sante Plus Hospitals”, turku Bilal Kara në Prishtinë, dhe menaxherja që pengoi inspektorët shëndetësorë, Geriana Arapi, në shtator të vitit të kaluar (vetëm tre muaj pas skandalit në Prishtinë), ishin përfshirë në një skandal në Shqipëri si aksionarë të spitalit “International Medicare Hospital”, pjesë e “Sante Plus”, me ç’rast ishin shpallur në kërkim policor, pasi që nuk ishte arritur të arrestoheshin gjatë operacionit “Bilanci”. (https://www.balkanweb.com/emrat-spitali-sante-plus-nderroi-emrin-ne-international-medicare-hospital-dhe-fshehu-1-mln-euro-fitime-arrestohet-administratori-edmond-zaja-ne-kerkim-aksioneret-bilal-kara-dhe-geriana-ara/#gsc.tab=0)
Policia e Shqipërisë kishte bërë të ditur se hetimet disamujore kishin rezultuar me zbulimin se subjekti, i cili ka ndryshuar emrin në International Medicare Hospital, kishte fshehur fitime mbi 1 milion euro dhe përdorte produkte të ndaluara për shërbimet shëndetësore.

Mediat në Shqipëri, para tre muajsh, kanë raportuar se shteti kishte sekuestruar spitalin privat International Medicare në Zogun e Zi në Tiranë, një objekt me vlerë rreth 3 milionë euro. Hetimet kishin nisur që në vitin 2024, pas denoncimit të një pacienti portugez ndaj spitalit, pjesë e Sante Plus Group. Sipas denoncimit, ai pagoi 5.200 euro për tri shërbime, të cilat nuk i kreu kurrë, pasi doktorët u larguan nga spitali. (https://shqiptarja.com/lajm/1-mln-evazion-fiskal-sekuestrohen-pasurite-e-international-medicare-e-sante-plus)
Veriu.info më 8 janar ka dërguar pyetje në “Sante Plus” për ta marrë qendrimin e tyre për vendimin e Inspektoratit Shëndetësor dhe për të gjeturat në raportin e inspektimit, por deri më tash nuk kemi pranuar përgjigje.
LEXONI EDHE:
LEXONI EDHE:















