Dalin pamjet e momentit kur forcat sepciale të Policisë e kapin të dyshuarin për vr’asjen e Arlinda Zekajt

Janë publikuar pamjet nga arrestimi i Albert Sylajt, i dyshuar për vrasjen e Arlinda Zekajt në fshatin Vitomiricë të Pejës. Pamjet janë publikuar nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK), ndërsa arrestimi i të dyshuarit është konfirmuar edhe zyrtarisht nga Policia e Kosovës.

Sylaj është arrestuar mbrëmjen e së martës, më 27 tetor, rreth orës 23:40, në Deçan, pas më shumë se dy ditësh kërkimesh nga organet e rendit.

Ai ishte shpallur në kërkim si i dyshuar për vrasjen e rëndë të 49-vjeçares Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë. 

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është realizuar pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët për lokalizimin e të dyshuarit.

“Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin ‘vrasje e rëndë’ të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Autoritetet kanë falënderuar qytetarët për bashkëpunimin, duke bërë të ditur se procedurat e mëtejshme do të zhvillohen në koordinim me organet kompetente të drejtësisë.

Sipas raportimeve të mediave, Sylaj dyshohet se e ka vrarë Arlinda Zekajn me sëpatë. Viktima ishte ish-kunata e tij.

Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, veçanërisht pas raportimeve se viktima kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje institucionale para se të vritej.

Më 22 tetor, tri ditë përpara vrasjes, Zekaj kishte paraqitur një shkresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, në të cilën kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe kishte kërkuar ndërhyrje urgjente.

Vrasja e saj ka nxitur kërkesa për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, përfshirë edhe mënyrën se si institucionet i kishin trajtuar paralajmërimet dhe kërkesat e viktimës.

Ndërkohë, për të mërkurën, më 28 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë është paralajmëruar protestë me kërkesën që vrasjet e grave të trajtohen si urgjencë kombëtare.

Albert Sylaj mbetet i dyshuar për veprën penale të vrasjes së rëndë, ndërsa përgjegjësia e tij penale duhet të përcaktohet në proces gjyqësor

Pamjet e publikuara nga RTK-ja mund t’i shihni në videon më poshtë.

 

JU REKOMANDOJMË