Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

A mund të izolohet Lista Serbe nga Vetëvendosja?

03/02/2026 - 08:12
në Kryesore, Lajme
A A
Me humbjen e një mandati parlamentar, Lista Serbe mund të mos jetë pjesë e Qeverisë
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Përpjekjet për ta margjinalizuar Listën Serbe janë më shumë sinjale politike për opinionin e brendshëm, vlerëson për Radion Evropa e Lirë Emir Abrashi nga organizata Demokraci Plus.

Sipas tij, nuk ekziston asnjë bazë ligjore – qoftë politike apo diskrecionale – për ta eliminuar këtë parti, e cila është më e madhja e serbëve në Kosovë dhe gëzon mbështetjen e Beogradit.

Të shtunën, anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve votuan kundër konfirmimit të rezultateve përfundimtare zgjedhore për Listën Serbe.

Nga Ambasada amerikane në Prishtinë i thanë Radios Evropa e Lirë se vendimi i KQZ-së është në kundërshtim me të drejtën e qytetarëve që të zgjedhin në mënyrë demokratike përfaqësuesit e tyre.

“Çdo përpjekje për të shkelur këtë parim bazë minon partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Vendimi i KQZ-së nxiti reagimin edhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, e cila kërkoi respektimin e standardeve ndërkombëtare zgjedhore dhe publikimin transparent të rezultateve.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, e cila i fitoi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, edhe më herët kishte tentuar ta pengonte Listën Serbe nga pjesëmarrja në zgjedhje, por Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i kishte rrëzuar vazhdimisht këto vendime.

Kësaj radhe, Lista Serbe u ankua sërish ndaj vendimit të KQZ-së, të cilin e përshkroi si “të turpshëm, diskriminues dhe të paligjshëm”.

Politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se me këto veprime, Vetëvendosja i dërgon mesazh komunitetit serb, i cili ka votuar kryesisht për Listën Serbe, se nuk është i rëndësishëm dhe se votat e tij nuk merren parasysh.

“Kjo është përçarëse për marrëdhëniet në Kosovë”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende janë të rezervuara për komunitetin serb. Lista Serbe, me mbi 42 mijë vota, fitoi nëntë, ndërsa një e siguroi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngul në qëndrimin e saj se Lista Serbe është “dorë e zgjatur e Beogradit”.

Si një nga arsyet përse nuk dëshiron bashkëpunim me të, përmend faktin se ajo nuk është distancuar kurrë nga ish-nënkryetari i saj, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Vetëvendosja shprehet e hapur për bashkëpunim me Rashiqin dhe këmbëngul që pozitat në Qeverinë apo Kuvendin e Kosovës, të cilat me Kushtetutë u takojnë përfaqësuesve të komunitetit serb, t’i jepen pikërisht partisë së tij.

Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi javën e kaluar se nënkryetari i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, mund të emërohet vetëm nga partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti, që në këtë rast është Lista Serbe.

Kë e dëmtojnë përpjekjet për eliminimin e Listës Serbe?
Gogiq vlerëson se përpjekjet për ta eliminuar Listën Serbe nga skena politike, nuk i dëmtojnë vetëm serbët e Kosovës, por gjithë vendin, pasi, siç thotë, rrezikojnë të shkaktojnë bllokadë institucionale.

“Kosova mund t’i humbasë edhe afatet për konstituimin e Kuvendit nëse Vetëvendosja inatoset me Listën Serbe. Po humbet kohë dhe nuk po arrihet asgjë, sepse eliminimi i Listës Serbe nuk është i mundur”, thotë ai.

Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar, Kosova u përball me një krizë të thellë institucionale dhe politike, pasi partitë shqiptare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Më pas, bllokada vazhdoi edhe për shkak të zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi Vetëvendosja refuzoi t’i votonte kandidatët e Listës Serbe.

Se Lista Serbe nuk mund të eliminohet, e thotë edhe Abrashi nga organizata Demokraci Plus.

Sipas tij, partitë politike mund të përjashtohen nga procesi zgjedhor vetëm nëse nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara ligjore, ose nëse shpallen të paligjshme nga organet kompetente gjyqësore apo të sigurisë.

“Pa një vendim të tillë – përfshirë shpalljen si organizatë terroriste apo si subjekt tjetër i paligjshëm – nuk ka bazë ligjore për përjashtimin e Listës Serbe vetëm për arsye politike ose diskrecionale”, thotë Abrashi.

Ai shton se roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është administrativ dhe procedural, e jo politik, dhe se çdo veprim jashtë mandatit të përcaktuar qartë, i nënshtrohet shqyrtimit.

“Sundimi i ligjit, siguria juridike dhe trajtimi i barabartë i të gjithë pjesëmarrësve në zgjedhje mbeten thelbësore për ruajtjen e kredibilitetit të procesit zgjedhor dhe besimit në institucione”, thekson Abrashi.

A mund të vazhdojë Lëvizja Vetëvendosje ta injorojë Listën Serbe?
Gogiq vlerëson se hendeku mes Listës Serbe dhe Vetëvendosjes po thellohet, por shton se bashkëpunimi mes tyre është i domosdoshëm për formimin e institucioneve të reja.

Në këtë kontekst, ai kujton vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në favor të Listës Serbe, sipas të cilave Kuvendi i Kosovës nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, ndërsa kandidatin për këtë post mund ta propozojë vetëm partia më e madhe parlamentare e këtij komuniteti.

“Do të ishte e rëndësishme që Vetëvendosja të bënte kompromis me Listën Serbe, e cila, për shembull, mund të sigurojë kuorumin për zgjedhjen e presidentit. Sistemi në Kosovë kërkon pjesëmarrjen e komuniteteve dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë”, thotë Gogiq, duke paralajmëruar se Vetëvendosja mund t’i shkaktojë dëm gjithë Kosovës nëse vazhdon ta injorojë Listën Serbe.

Përndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në dhjetor të vitit të kaluar se mosmarrëveshjet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara lidhen kryesisht me Serbinë dhe strukturat e saj.

Sipas tij, SHBA-ja e konsideron qëndrimin e tij ndaj Serbisë si shumë rigoroz.

Në shtator të vitit 2025, SHBA-ja ka pezulluar përkohësishtDialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.

JU REKOMANDOJMË

Pezullohet vendimi i ZRRE-së për treg të hapur deri në vendim të Gjykatës
Kryesore

ZRRE-ja hedh poshtë pretendimet se rryma nuk do të shtrenjtohet

03/02/2026 - 11:06
Dogana kap armë dhe municion në pikëkalimin kufitar Qafë Prush
Lajme

Dogana kap armë dhe municion në pikëkalimin kufitar Qafë Prush

03/02/2026 - 10:34
Fushata zgjedhore, PZAP-ja shqipton rreth 40 mijë euro gjoba për subjektet politike
Lajme

Nis shqyrtimi i ankesave, sa kohë ka në dispozicion PZAP-ja?

03/02/2026 - 10:16
Rinumërimi nxjerr “devijime” në Podujevë? Me 10% të votave të rinumëruara, Ejup Maqedoncit i hiqen afër 300 vota
Kryesore

“Dallaveret” me vota, nisin hetimet edhe në Gjilan

03/02/2026 - 09:58
Hamiti: Kosova 833 ditë nën sanksione të BE’së për shkak të politikave të Kurtit
Lajme

Hamiti: Kosova është në gjendjen më të keqe prej pavarësisë në të gjithë treguesit

03/02/2026 - 09:40
U nis për në shkollë e nuk u kthye më, babai njofton se i është zhdukur vajza 12 vjeçare
Lajme

Zhduket një grua në Ferizaj

03/02/2026 - 09:22

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • LDK-ja e prish koalicionin me Faton Pecin pas emërimit të Gazmend Asllanit

    LDK-ja e prish koalicionin me Faton Pecin pas emërimit të Gazmend Asllanit

    135 Shpërndaje
    Shpërndaje 54 Tweet 34
  • ​Hetimet për dallaveret me vota, jep detaje kryesuesi komunal zgjedhor në Podujevë

    109 Shpërndaje
    Shpërndaje 44 Tweet 27
  • Lirimi i të dyshuarve për manipulim të votave në Mitrovicë – kush janë ata?

    99 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Lirohen 10 kryesues të Qendrës Komunale të Numërimit në Mitrovicë

    92 Shpërndaje
    Shpërndaje 37 Tweet 23
  • Dalin bisedat e Lajçak me Epstein për gratë dhe takimin me Lavrov: “Janë të reja për ty”, “mos u bë i keq, nuk më ke parë në aksion”

    88 Shpërndaje
    Shpërndaje 35 Tweet 22

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë