Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale në Hagë për dënime deri në 180 vjet burg për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Enver Hoxhaj i PDK-së, ka reaguar ashpër, duke e cilësuar këtë çështje si “një ndërhyrje politike brutale që synon rishkrimin e historisë së Kosovës”.
Ai ka shkruar se kjo përbën “përndjekje selektive ndaj Kosovës” dhe se përqendrimi te rezistenca dhe jo te aparati shtetëror serb që kreu gjenocid “krijon një barazi të rreme mes pushtuesit dhe të pushtuarit”.
Deputeti ka shpjeguar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shfaq si reagim i domosdoshëm ndaj dhunës, spastrimit etnik dhe gjenocidit serb, duke qenë një formë mbrojtjeje dhe rezistence.
“Çdo përpjekje për ta nxjerrë këtë luftë jashtë këtij konteksti përbën shtrembërim të së vërtetës historike,” shkruan Hoxhaj.
Ai ka nënvizuar se “kriminalizimi i UÇK-së është sulm ndaj historisë së popullit të Kosovës. Çlirimi nuk është krim, rezistenca nuk është ndërmarrje kriminale dhe historia nuk mund të rishkruhet sipas narrativës së agresorit apo burokratëve në Bruksel”.
Sipas Hoxhajt, drejtësia e vërtetë mund të ekzistojë vetëm kur “emërtohet saktë pushteti që prodhoi dhunën dhe njihet legjitimiteti i luftës për liri”, ndërsa çdo vendim tjetër “mbetet një formë tjetër e padrejtësisë”.
Ai ka përmbyllur reagimin duke kritikuar Bashkimin Evropian.
“Fatkeqësia është se sot, me fonde të BE-së, po luftohet historia e Kosovës dhe po rehabilitohet regjimi gjenocidal i Serbisë, i cili kurrë nuk u përball realisht me drejtësinë.”
https://www.facebook.com/share/p/1DoppY1DxF/?mibextid=wwXIfr














