Publicisti Veton Surroi ka sugjeruar që anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes para se të shkojë për miratim në Parlamentin e Kosovës të dërgohej për një mendim në Komisionin e Venecias.
“Para se të iniciohej ky ratifikim i anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes do t’ia vlente që Kosova të merrte një mendim nga Komisioni i Venecias mbi përputhshmërinë mes natyrës së vendimmarrjes në Kartë, gjegjësisht të Bordit të paqes si organizatë dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka shkruar ai.
Ai tha se ratifikimi i anëtarësimit nga ana e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të nënkuptonte që ligjet e Kosovës t’i nënshtrohen Kartës së Bordit të Paqes.
Surroi po ashtu shtoi se kërkesa për këtë mendim nga Komisioni i Venecias nuk do të thotë heqje dorë nga nënshkrimi.
“Kosova sipas Kartës së Bordit të paqes mund të vazhdojë si një anëtar pa të drejtë vote deri në vendimin eventual se nevojitet ratifikimi parlamentar”, tha ai.
Postimi i plotë:
Një sugerim për rivlerësim
• Kosova është pjesë e të njëjtës familje kushtetuese evropiane si Italia dhe Gjermania. Që të dy këto vende shprehën keqardhje për shkak të pamundësisë për pjesëmarrje në Bordin e Paqes të inicuar nga presidenti Trump. Arsyet që u dhanë ishin shpërputhja mes kushtetutave të tyre në pjesën që kanë të bëjnë me ndarjen e sovranitetit dhe strukturimit të qeverisjes në Bordin e paqes.
• Presidentja e Kosovës e ka nënshkruar anëtarësimin e vendit në ceremoninë e Davosit më 22 janar dhe tash është duke kërkuar ratifikimin e këtij nënshkrimi në Kuvendin e Kosovës, sipas dispozitave të Kartës së Bordit të Paqes.
• Ratifikimi i anëtarësimit nga ana e dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës do të nënkuptonte që ligjet e Kosovës, të tanishme dhe të ardhshme, t’i nënshtrohen Kartës së Bordit të Paqes. Para se të inicohej ky ratifikim i anëtarësimit të Kosovës në Bordin e Paqes do t’ia vlente që Kosova të merrte një mendim nga Komisioni i Venecias mbi përputhshmërinë mes natyrës së vendimmarrjes në Kartë, gjegjësisht të Bordit të paqes si organizatë dhe Kushtetutës së Kosovës.
• Kërkesa për mendim sqarues kushtetues nga Komisioni i Venecias nuk do të thotë heqje dorë nga nënshkrimi. Kosova sipas Kartës së Bordit të paqes mund të vazhdojë si një anëtar pa të drejtë vote deri në vendimin eventual se nevojitet ratifikimi parlamentar.














