Një incident i pazakontë ka ndodhur në ambientet e spitalit “Kllokoqi Estetika”, ku dy pacientë janë përfshirë në një përleshje fizike me njëri-tjetrin. Sipas informacioneve të para, shkak për konfliktin ka qenë pritja në radhë, situatë e cila ka degraduar deri në dhunë fizike.
Burimet bëjnë me dije se si pasojë e rrahjes, njëri prej pacientëve ka pësuar lëndime trupore, duke i nxjerrë krahun tjetrit.
Në pamjet që disponon Insajderi, shihen edhe patrulla të Policisë së Kosovës të parkuara në parkingun e spitalit, të cilat kanë intervenuar pas thirrjes për ndihmë.
Sipas po të njëjtave burimeve, policia ka qëndruar për më shumë se një orë në ambientet e spitalit.
Gazeta Insajderi ka tentuar të marrë një version zyrtar nga menaxhmenti i spitalit lidhur me këtë ngjarje dhe masat që janë ndërmarrë, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.
Lidhur me rastin, Insajderi ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për të mësuar rrethanat e ndërhyrjes dhe nëse ka persona të shoqëruar, por të njëjtit deri tani kanë deklaurar se nuk kanë informacion.














