Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Harry Bajraktari letër Trump’it, i kërkon angazhim që Haga të sigurojë gjykim të drejtë, ia përmend edhe Jack Smithin

14/02/2026 - 02:18
në Kryesore, Lajme
A A
Harry Bajraktari letër Trump’it, i kërkon angazhim që Haga të sigurojë gjykim të drejtë, ia përmend edhe Jack Smithin
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Veprimtari dhe biznesmeni shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari, përmes një postimi në platformën ‘’X’’, ka njoftuar se i ka dërguar letë presidentit amerikan, Donald Trump, ku i ka shprehur shqetësimet e tij lidhur me zhvillimet në Speciale.

Bajraktari, është shprehur se është e domosdoshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të angazhohen për të ‘’siguruar se ky mekanizëm’’ të garantojë gjykim të drejtë për ish-liderët e Kosovës.

‘’Si qytetar amerikan dhe përfaqësues i komunitetit shqiptaro-amerikan, sot i dërgova një letër zyrtare Presidentit Donald Trump, në të cilën shpreha shqetësimet e mia lidhur me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe domosdoshmërinë që Shtetet e Bashkuara të angazhohen për të siguruar që ky mekanizëm të garantojë një gjykim të drejtë për ish-udhëheqësit e Kosovës — Hashim Thaçi , Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi — si dhe për të tjerët që aktualisht po mbahen në Hagë’’, ka shkruar ai në postimin e tij, përcjell Gazeta Express.

Në letrën e tij, Bajraktari i është drejtuar Trump’it, si qytetar amerikan dhe udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, duke theksuar se ‘’gjatë viteve më të errëta të popullit të Kosovës’’, ka qenë udhëheqja amerikane ajo që qëndroi vendosmërisht në krah këtij vendi.

Tutje, në letrën e tij, Bajraktari i ka cilësuar ‘’propagandë dhe pretendime sensacionale’’ akuzat për trafikim organesh, duke theksuar se, ato ‘’kurrë nuk u mbështetën në prova’’.

Bajraktari, në letrën e tij kërkon që, administrata e Trump’it, t’i bëjë thirrje Dhomave të Specializuara të Kosovës të zbatojnë rreptësisht standardet më të larta ndërkombëtare për gjykim të drejtë; Të këmbëngulë që garancitë kushtetuese për Presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët të respektohen plotësisht në çdo fazë të procedurës; Të inkurajojë aleatët e NATO-s dhe partnerët e BE-së të riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë dhe të kundërshtojnë çdo qasje të njëanshme ndaj drejtësisë; si dhe; Të afirmojë publikisht legjitimitetin historik të luftës për liri të Kosovës dhe të bëjë të qartë se politika e SHBA-së nuk e barazon luftën mbrojtëse të UÇK-së me fushatën e spastrimit etnik të Serbisë.

Letra e plotë:

I Nderuari President i Shteteve të Bashkuara

Donald J. Trump

13 shkurt 2026

I nderuar z. President,

Po ju drejtohem si qytetar amerikan dhe udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, i cili ka më shumë se katër dekada që i është përkushtuar forcimit të partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës. Gjatë viteve më të errëta për popullin e Kosovës, ishte udhëheqja amerikane ajo që qëndroi vendosmërisht në krah të Kosovës, dhe ne do të jemi përherë mirënjohës për rolin e Amerikës në sjelljen e paqes, lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë.

Në vitin 2015, nën presion të drejtpërdrejtë nga Administrata Obama, udhëheqja e zgjedhur e Kosovës votoi për themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke besuar se kjo ishte e nevojshme për të ruajtur aleancën me Shtetet e Bashkuara dhe për të dëshmuar përkushtim ndaj sundimit të ligjit. Gjykata u ndërtua mbi bazën politike të raportit gjerësisht të kritikuar të Dick Marty-t në Këshillin e Evropës, i cili pretendonte për trafikim organesh — propagandë dhe pretendime sensacionale që kurrë nuk u mbështetën me prova të besueshme, por që shkaktuan dëme të mëdha ndaj reputacionit të Kosovës. Ky narrativ, i promovuar në mënyrë agresive nga Serbia dhe aleatët e saj, e mjegulloi vijën ndarëse midis shtetit agresor dhe atyre që i rezistuan spastrimit etnik dhe gjenocidit.

Në fillim, ishte ish-Kryeprokurori Jack Smith, të cilin ju e njihni personalisht si një prokuror të gatshëm për ta instrumentalizuar sistemin e drejtësisë për qëllime politike, ai që ngriti aktakuza të gjera. Bilanci i z. Smith në Kosovë dhe në Shtetet e Bashkuara tregon një model ndjekjesh penale agresive e të njëanshme, të shkëputura nga realiteti faktik, dhe shumë prej nesh e konsiderojnë atë një nga prokurorët më të dobët dhe më të motivuar politikisht në historinë moderne amerikane. Kjo qasje nisi me të dhe vazhdon sot nën prokurorinë aktuale. Së fundmi, prokurorët kanë kërkuar dënime me 45 vjet burg ndaj udhëheqjes së kohës së luftës në Kosovë, përfshirë ish-Presidentin Hashim Thaçi.

Dhomat e Specializuara të Kosovës përqendrohen ekskluzivisht në krimet e pretenduara të UÇK-së, ndërkohë që forcat shtetërore serbe — përgjegjëse për dëbime masive, masakra, fushata terrori dhe përdhunimin e rreth 20,000 grave, që çuan në ndërhyrjen e NATO-s — nuk përballen me asnjë tribunal të krahasueshëm.

Më 11–12 shkurt 2026, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë miratuan rezoluta që kërkojnë gjykime të drejta dhe mbrojnë legjitimitetin historik të luftës çlirimtare të Kosovës. Këto institucione të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe fuqishëm pro-amerikane paralajmërojnë se kjo gjykatë nuk po i shërben më drejtësisë apo stabilitetit.

Kosova mbetet një nga aleatët më besnikë të Amerikës në një rajon ku Serbia rreshtohet ngushtë me Rusinë dhe kundërshtarë të tjerë të Shteteve të Bashkuara. Kriminalizimi i komandantëve të kohës së luftës në Kosovë minon sigurinë perëndimore dhe trashëgiminë e NATO-s. Populli i Kosovës nuk kërkon imunitet, por kërkon drejtësi të barabartë që njeh dallimin midis luftëtarëve të lirisë dhe një makinerie shtetërore gjenocidale.

Me respekt, kërkoj që Administrata juaj:

• T’i bëjë thirrje Dhomave të Specializuara të Kosovës të zbatojnë rreptësisht standardet më të larta ndërkombëtare për gjykim të drejtë, përfshirë transparencë të plotë, llogaridhënie dhe respektim të procesit të rregullt ligjor.

• Të këmbëngulë që garancitë kushtetuese për Presidentin Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët të respektohen plotësisht në çdo fazë të procedurës.

• Të inkurajojë aleatët e NATO-s dhe partnerët e BE-së të riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj standardeve ndërkombëtare për gjykim të drejtë dhe të kundërshtojnë çdo qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.

• Të afirmojë publikisht legjitimitetin historik të luftës për liri të Kosovës dhe të bëjë të qartë se politika e SHBA-së nuk e barazon luftën mbrojtëse të UÇK-së me fushatën e spastrimit etnik të Serbisë.

Z. President, trashëgimia e Amerikës në Kosovë u ndërtua mbi udhëheqje morale të mbështetur nga fuqia. Vizioni juaj për “paqen përmes forcës” ndihmoi NATO-n të ndalë spastrimin etnik dhe një fushatë gjenocidale në Kosovë, dhe e njëjta forcë morale nevojitet tani për të siguruar që udhëheqësit e Kosovës të trajtohen me drejtësi dhe në mënyrë të drejtë.

Me respekt,

Harry Bajraktari

JU REKOMANDOJMË

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së

Beha: Gjyqtari që kërkoi të shqyrtohej lirimi i Thaçit nuk u përfshi më në panelet për krerët e UÇK-së
31/08/2026 - 22:45

Gazetari Besian Beha ka ngritur pikëpyetje lidhur me përbërjen e paneleve gjyqësore që kanë vendosur për vazhdimin e paraburgimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë....

Më shumëDetails

Një ditë para protestës, Rama i drejtohet Qeverisë: Mos i merrni komunave atë që u takon qytetarëve

“Për koncert po, për tjerat jo”, Përparim Rama s’flet për zhvillimet brenda LDK’së
31/08/2026 - 22:34

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar një video në Facebook një ditë para protestës së komunave para Qeverisë së Kosovës. Rama ka kërkuar nga ekzekutivi qendror që...

Më shumëDetails

Olluri për Bekim Sejdiun: Kandidat konsensual i Osmanit dhe Abdixhikut, grupi parlamentar i LDK-së akoma nuk e ka thënë fjalën e vetë

Olluri për Bekim Sejdiun: Kandidat konsensual i Osmanit dhe Abdixhikut, grupi parlamentar i LDK-së akoma nuk e ka thënë fjalën e vetë
31/08/2026 - 22:22

Gazetari Parim Olluri, ka thënë në “Pressing” të T7, se Bekim Sejdiu është kandidat konsensual i Vjosa Osmanit dhe Lumir Abdixhikut. Ai ka thënë se grupi parlamentar i...

Më shumëDetails

Valon Syla: Për Bekim Sejdiun mund të mos votojnë katër deputetë të LDK-së, dy nga pakicat joserbe – por mund ta jep votën një i PDK-së

Valon Syla: Për Bekim Sejdiun mund të mos votojnë katër deputetë të LDK-së, dy nga pakicat joserbe – por mund ta jep votën një i PDK-së
31/08/2026 - 21:56

Gazetari Valon Syla në “Pressing” të T7, ka thënë se Bekim Sejdiu mund të mos votohet nga katër deputetë të LDK-së. Tutje, ai ka thënë se edhe dy...

Më shumëDetails

Ukraina: Do t’i kthehemi temës së njohjes së Kosovës kur të dalim nga flakët e luftës ruse

Ukraina: Do t’i kthehemi temës së njohjes së Kosovës kur të dalim nga flakët e luftës ruse
31/08/2026 - 21:17

Një përgjigje e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, se qëndrimi i Ukrainës për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, nxiti pakënaqësi në Kosovë dhe kulmoi me heqjen e...

Më shumëDetails

Bedri Hamza thotë se asnjë deputet i PDK nuk do të votojë për Bekim Sejdiun, dyshon që VV e LDK i kanë numrat

Hamza: Drafti aktual i Asociacionit është oferta më e varfër që e ka pasur Kosova në tavolinë
31/08/2026 - 21:13

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka folur për marrëveshjen e arritur sot në mes VV-së dhe LDK-së që kandidati për president të jetë Bekim Sejdiu,...

Më shumëDetails

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    Ekskluzive: Arrestohet 4 persona në Mitrovicë nën dyshimin për dallavere me testin e patent shoferëve

    153 Shpërndaje
    Shpërndaje 61 Tweet 38
  • Hoti del me sqarim, tregon pse nuk e voton Bekim Sejdiun për president

    113 Shpërndaje
    Shpërndaje 45 Tweet 28
  • Policia konfirmon raportimin e Veriu.info: Janë arrestuar 4 persona në Mitrovicë për dallavere me testin për patentë shofer

    103 Shpërndaje
    Shpërndaje 41 Tweet 26
  • Bekë Berisha për kandidatin për President: Duhet me qenë shumë i poshtër meqë janë pajtuar për të

    97 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 24
  • “Kjo është…”, momenti kur Mihrija kupton se do të bëhet gjyshe (video)

    91 Shpërndaje
    Shpërndaje 36 Tweet 23

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë