Në Kuvendin e Kosovës, ministri i Financave, Hekuran Murati paraqiti para deputetëve projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2026, duke theksuar vonesat procedurale, kufizimet e zgjatjes buxhetore dhe strukturën e përgjithshme të shpenzimeve dhe të hyrave.
Ministri nënvizoi se projektligji ishte dorëzuar në afatin ligjor, por nuk kishte hyrë në fuqi për shkak të rrethanave institucionale.
“Të gjithë e dimë që ky projektligj, sipas ligjit, parashihej që të miratohej dhe të dorëzohej në Kuvend me datën 31 tetor të vitit të kaluar, gjë që qeveria e asaj kohe në detyrë e kishte bërë. Megjithatë, në mungesë të një Kuvendi funksional, por edhe në mungesë të konsensusit pastaj pas konstituimit të Kuvendit, ky projektligj nuk ishte proceduar dhe nuk ishte miratuar në mënyrë që të ishte në fuqi para datës 1 janar, kur edhe fillon shfrytëzimi i këtij buxheti. Si rezultat i kësaj, kemi pasur zgjatje buxhetore automatike, pra siç parashihet me LMFPP (Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjshmëritë), që është për dy muajt e parë dhe më pastaj, siç e dini edhe ju, është miratuar edhe zgjatja për muajin mars. Sido që të jetë, këto zgjatje mjaftojnë vetëm për shpenzimet rrjedhëse. Sa i përket prokurimeve të reja, projekteve të reja, është e pamundur të iniciohen procedura pa pasur zotimin e mjeteve. E nëse alokimi është bërë vetëm për 3 të 12-tat e vitit, pra nuk mund të zotohet komplet viti, ta zëmë për ndonjë projekt kapital apo për ndonjë prokurim tjetër sa i përket mallrave dhe shërbimeve, për shërbime esenciale në rast se është nevoja”, tha ai.
Ai shtoi se qeveria e re ka vendosur ta procedojë projektligjin në formën ekzistuese për të zhbllokuar funksionimin buxhetor, ndërsa ndryshimet do të trajtohen në një fazë të mëvonshme.
“Prandaj, duke e parë këtë situatë, duke qenë të vetëdijshëm edhe për situatën emergjente që na pret sa i përket lëvizjes tutje dhe zhbllokimit të buxhetit, qoftë në nivelin qendror apo edhe për ato komunale, ne i kemi propozuar si Ministri e Financave qeverisë në mbledhjen e parë, pra si qeveri e re, që të procedojmë projektligjin ashtu siç ka qenë. Pra, duke mos reflektuar domosdoshmërisht tash për tash ndryshimet e nevojshme për të gjitha prioritetet, por edhe për strukturën e qeverisë, por që këtë ta bëjmë në një rishikim të mëvonshëm. Ndërkaq ky projektligj është projektligji i cili është miratuar më 31 tetor të vitit të kaluar ashtu siç e ka paraparë ligji. Tabelat janë të ngjashme. E vetmja gjë që ndryshon ka të bëjë me pagën e 13-të, që është paraparë që jo në fund të vitit por të bëhet në fillim të vitit. Ndërkaq çështja tjetër që është paraparë ka të bëjë edhe me ndryshimin apo mundësinë e ndryshimit të tabelave në ligj sa i përket dikastereve në momentin kur qeveria e miraton rregulloren e qeverisë dhe bëhet definimi apo përcaktimi i ndarjes së detyrave dhe fushëveprimit të secilit prej dikastereve apo ministrive. Dhe kjo punë është lënë që të bëhet më pastaj përmes nenit 11, paragrafi 5 konkretisht”, theksoi ai.
Sa i përket përmbajtjes së buxhetit për vitin 2026, ministri paraqiti strukturën e plotë të shpenzimeve dhe burimet e financimit
“Sa i përket buxhetit në fjalë, është një buxhet ku kufiri i shpenzimit është përafërsisht 4 miliardë euro (ose 3 miliardë e 967 milionë euro). Këto shpenzime ndahen në kategori si vijon:
Paga dhe shtesa: 980 milionë euro.
Mallra dhe shërbime: 545 milionë euro.
Subvencione dhe transfere: 1 miliard e 358 milionë euro.
Shpenzime kapitale: 998.4 milionë euro (prej të cilave 897 milionë nga buxheti i rregullt dhe 100 milionë nga klauzola e investimeve).
Sa i përket burimit të financimeve, të hyrat buxhetore gjithsej janë 3.64 miliardë euro:
Të hyrat tatimore: 3.26 miliardë euro
Të hyrat jo tatimore: 357 milionë euro.
Pjesa e mbetur e deficitit parashihet të financohet përmes huamarrjes ose granteve nga donatorët.
Përveç këtyre, është paraparë që: Paga e 13-të të shtohet këtu, Përvoja e punës, që me ligjin e pagave për 15 vitet e para ishte 0.25% për vit, të kthehet në 0.5% në vit për të gjitha vitet. Shtyrja e hyrjes në fuqi të normës progresive për tatimin në pronë, në mënyrë që këtë vit të kemi një ligj të ri në konsultim me komunat, duke qenë se këto të hyra u shkojnë atyre”, shtoi ai.













