Më 27 shkurt, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të mbahen deklaratat hyrëse në gjykimin e Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.
Seanca është planifikuar të fillojë në orën 09:30 dhe të përfundojë në orën 16:00.
Dhomat e Specializuara njoftuan se ajo mund ndiqet në internet në tri gjuhët e gjykatës, shqipe, serbishte dhe anglishte, përmes transmetimit në faqen e internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë, ose nga galeria për publikun në ndërtesën e gjykatës në Hagë.
Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.
Sipas aktakuzës, “midis së paku 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme të paprivilegjuara në objektin e paraburgimit, z. Thaçi u dha zotit Smakaj, zotit Kilaj, zotit Fazliu dhe zotit Kuçi informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, i udhëzoi ata që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin”.
Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi “bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza, dhe z. Kuçi, me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.
Isni Kilaj u arrestua së pari si i dyshuar më 2 nëntor 2023, dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024.
Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së.
Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm.
Prokuroria dorëzoi dosjen paraprake të saj më 19 shtator 2025. Smakaj, Thaçi dhe Fazliu dorëzuan dosjet paraprake të tyre më 19 dhe 20 tetor 2025.
“Dosja e çështjes iu kalua për gjykim Gjykatësit të Vetëm më 12 nëntor 2025. Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për të dytën herë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm më 10 dhjetor 2025. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026 në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm”, njoftoi DHSK.
Pas deklaratave hyrëse, Prokuroria do të fillojë paraqitjen e provave të saj.















