Ministri i Punëve të Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca e quajti përpjekje për “shtrembërim të historisë” gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Glauk Konjufca po qëndron në kryeqytetin holandez sot, në ditën e fundit të gjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
“Çka po përpiqet të ndodhë brenda kësaj gjykate është shtrembërimi i historisë, sepse edhe baza mbi të cilën u ndërtua kjo gjykatë, raporti i Dick Martyt, doli raport i gënjeshtërt”, tha ai.
Konjufca tha se “këta njerëz tashmë e kanë marrë një ndëshkim të padrejtë, sepse procesi zgjati aq shumë sa që unë pretendoj dhe të gjithë pretendojmë se u shkel e drejta elementare e njeriut”.
Konjufca tha se sipas konventave ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës, personi duhet “të gjykohet në kohë të arsyeshme”.
“Kjo e drejtë ma merr mendja që u shkel në mënyrë të dhunshme, sepse janë bërë 5 vite e 3 muaj që këta drejtues të UÇK-së mbahen të izoluar larg familjeve të tyre e larg shtetit të tyre. Dhe kjo është e para që dua ta them. Pra ka qenë shkelje brutale e të drejtës për gjykim të arsyeshëm në kohë”, tha ai.
Konjufca e quajti Specialen “gjykatë njëetnike, e cila fokusin e kishte padrejtësisht në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.
Ai tha se lufta e popullit të Kosovës ishte “luftë e drejtë, e pastër, mbrojtëse”.
“Nuk ka qenë qëllim i kësaj lufte sulmi i asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishin policia dhe ushtria serbe, njerëzit e uniformuar okupatorë që bënë gjenocid në Kosovë, që vranë fëmijë, që vranë gra dhe që vranë pleq, e që i mbytën mbi 12 mijë qytetarë të Republikës sonë. Kundër këtyre njerëzve ishte e drejtuar lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe këtë të vërtetë, nuk mund ta ndryshojë asnjë gjykatë”, tha ai.













