Sir Geoffrey Nice, prokurori kryesor në gjyqin kundër Slobodan Millosheviqit në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi në Hagë e ka vizituar Memorialin Përkujtimor në Reçak të Shtimes, aty ku u krye një nga masakrat më të njohura në Kosovë.
Juristi britanik i specializuar në të drejtën penale ndërkombëtare ishte atje me ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për zonën e Nerodimes, Shukri Bujën.
“Sot, me ndjenjë të thellë respekti, përgjegjësie dhe përulësie para historisë, qëndruam në Memorialin Përkujtimor në Reçak, së bashku me mikun e madh të së vërtetës dhe drejtësisë, Sir Geoffrey Nice, si dhe me mikun Taulant Hodaj. Në tokën ku ndërgjegjja e botës u trondit nga krimi i rëndë ndaj civilëve të pafajshëm, u takuam me banorë dhe të mbijetuar të masakrës, dëshmitarë të gjallë të një plage që mbetet e hapur në kujtesën tonë kolektive. Vizituam kompleksin memorial, shtëpitë dhe vendet kyçe ku u morën jetë të pafajshme, por ku nuk u shua kurrë dinjiteti, qëndresa dhe e vërteta”, shkroi Buja në një postim në Facebook.
Ai tha se “prania e Sir Geoffrey Nice në Reçak ka një domethënie të veçantë historike dhe morale”.
“Ai është simbol i drejtësisë ndërkombëtare, njeriu që me guxim, integritet dhe profesionalizëm udhëhoqi ndjekjen penale kundër Slobodan Milošević, duke e vendosur para përgjegjësisë një regjim që shkaktoi vuajtje të panumërta. Kontributi i tij në mbrojtjen e së vërtetës dhe të drejtës, përfshirë edhe mbështetjen time pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës, për mua eshtë teper i çmuar”, shkroi ai.
“Jam thellësisht i nderuar nga vizita e tij në këtë vend martirizimi. Mirënjohja ime dhe e popullit të Kosovës ndaj tij është e përhershme. I dëshiroj jetë të gjatë, shëndet dhe forcë, sepse figura si ai janë garanci se e vërteta nuk zbehet, drejtësia nuk përkulet dhe sakrifica e të rënëve nuk harrohet. Përherë mirënjohës”, shtoi Buja.













