Planifikimi ushtarak amerikan rreth Iranit ka arritur në një fazë të avancuar me opsione që e përfshijnë shënjestrimin e individëve si pjesë e një sulmi dhe madje edhe ndjekjen e synimit për ndryshimin e regjimit në Teheran, nëse një gjë e tillë urdhërohet nga presidenti Donald Trump, i thanë agjencisë “Reuters” dy zyrtarë amerikanë.
Opsionet ushtarake janë shenjat më të reja se Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një konflikt serioz me Iranin, nëse dështojnë përpjekjet diplomatike. Agjencia “Reuters” raportoi javën e kaluar se ushtria amerikane është duke u përgatitur për një operacion të gjatë me javë kundër Iranit që mund ta përfshijë sulmin ndaj objekteve iraniane të sigurisë si dhe infrastrukturën bërthamore.
Zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të natyrës së ndjeshme të planeve, nuk ofruan hollësi të mëtejme për atë se cilët individë mund të vihen në shënjestër ose si mund të përpiqet ushtria amerikane ta ndryshojë regjimin në Iran pa një forcë të madhe tokësore.
Trumpi ka grumbulluar forca të shumta ushtarake në Lindjen e Mesme, por shumica e kapaciteteve luftarake ndodhen në luftanioje dhe aeroplanë luftarakë. Ndonjë fushatë e mundshme bombarduese mund të mbështetet edhe në aeroplanët bombardues që ndodhen në ShBA.
Njëri nga zyrtarët amerikanë e vuri në pah suksesin e Izraelit për shënjestrimin e udhëheqësve iranianë gjatë luftës 12-ditore me Iranin vitin e kaluar. Atë kohë, burimet rajonale i kishin thënë agjencisë “Reuters” se të paktën 20 komandantë të lartë ishin vrarë, përfshirë komandantin e Shtabit të Përgjithshëm, Mohammad Bagheri.
Megjithatë, zyrtari paralajmëroi se shënjestrimi i individëve kërkon burime shtesë të inteligjencës. Për vrasjen e një komandanti të caktuar ushtarak do të nevojitej që të dihet vendndodhja e saktë e tij si dhe kush tjetër mund të preket në operacion.
Për zyrtarët që folën me agjencinë “Reuters” ishte e paqartë se çfarë të dhënash të inteligjencës ka ShBA-ja rreth udhëheqësve iranianë që do të mund të viheshin në shënjestër.












