Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, i ka reaguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili ka paralajmëruar hetimin për ndikimet nga jashtë në Kuvendin e fundit të kësaj partie.
Haziri ka bërë me dije se ka qenë i angazhuar maksimalisht në këtë Kuvend dhe nuk ka parë ndikime nga jashtë.
Në një intervistë në “Debat Plus”, ai ka thënë se nuk ka lejuar një gjë të tillë.
“E kam dëgjuar atë deklaratë, është çështje që ai e ka thanë vet, por nëse me pyetni mua i angazhuar maksimalisht në atë proces zgjedhor, kurrë më shumë nuk kam qenë i angazhuar se kësaj here, por në këtë parim që e thash: a jemi duke e kërku një fajtor apo jemi duke e shpërnda fajin. Kështu që, kam qenë jashtëzakonisht i inetresuar me e pa Kuvendin e LDK-së se si po reagon i pa ndikuar. Në asnjë mënyrë, në asnjë formë, nuk kam parë nuk kam lejuar me qenë i ndikuar ndryshe, pos ashtu siç kam besuar dhe ashtu siç është reflektua në rezultatin zgjedhor”, ka thënë Haziri.
Ditë më parë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shprehur dyshime të mëdha se delegatët e LDK-së që nuk e votuan në Kuvendin e 31 janarit kanë qenë të ndikuar nga jashtë.
Në një intervistë në “Debat Plus”, ai ka paralajmëruar hetim për këtë çështje.
“Jam i pakënaqur me interferimet e grupeve të interesit në Kuvendin e LDK-së. Duket se ka pas një përmasë të madhe të njerëzve jashtë sallës. Do merremi me këtë. Po punoj me një trup hetimore të brendshme që do të merret me gjithë njerëzit e paautorizuar që kanë qenë në kuvendin e LDK-së”, ka thënë ai, duke treguar se me çka do të merret kjo trup hetimore.
“Në qoftë së ka pas influenca të grupeve të paautorizuara, në qoftë se ka pas biznese në dhomat lartë me mjete për të ndikuar në vullnetin e lirë të anëtarësisë. Do të përgjigjen të gjithë”, është shprehur Abdixhiku.















