Kryeministri Albin Kurti është deklaruar para mediave lidhur me takimin e mbajtur me kreun e PDK-së, Bedri Hamzën.
Ai ka bërë me dije se nuk është thënë ndonjë emër i përveçëm për postin e presidentit të vendit dhe se nuk kanë arritur të kenë ndonjë emër konsensual.
Kurti njoftoi se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, do të mbajë një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm, ku do të diskutohet edhe çështja e presidentit.
Ai paralajmëroi “propozime partiake”.
“Natyrisht që do ta diskutojmë edhe këtë çështje. Dhe duket se, kur s’ka mundësi për marrëveshje politike, kur s’ka mundësi për propozim konsensual, atëherë do të kemi propozime partiake që do të merren vesh. Por, shpejt emrat e përveçëm – duket se edhe kjo e shtunë e fundit e ditës së fundit të muajit shkurt shkoi pa emra konkretë. Uroj për një garë sa më demokratike, të hapur, dhe natyrisht sa më parë ta kalojmë edhe këtë sfidë”, tha ai.













