Ndonëse Kosova ndodhet në fazë kritike politike dhe e përfshirë nga debate për presidentin e ardhshëm të shtetit, dukej e çuditshme mungesa e përflitjeve të emrit të tij.
Shoqëria kosovare është mësuar që emri i Veton Surroit të shfaqet sa herë që vendi ndodhet në momente të vështira politike, por si rrallëherë, prej javësh, askush s’e kishte përmendur.
Demokracia.com mëson se, në kohën kur partitë politike nuk janë afër që të gjejnë kandidatin jopartiak, emri i publicistit Surroi ka filluar të përmendet për kandidat i mundshëm për president të Kosovës.
Burime të afërta me procesin kanë thënë se në Lëvizjen Vetëvendosje është përmendur emri i Surroit, por pa qenë të sigurtë se si do të pritej nga partitë tjera, për faktin se prej disa mandatesh, ai ka qenë i angazhuar në këshillimin e Qeverisë Kurti.
Surroi, gjatë intervistave të tij, ka qenë në linjë të njëtë me kryeministrin, Albin Kurti, i cili me Marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 ka pranuar “vetëmenaxhimin për serbët”, si një hap që është vlerësuar se u jep serbëve në Kosovë autonomi të plotë politike dhe territoriale.













