Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se deputetët e opozitës nuk e kanë detyrim që të marrin pjesë në votimin për presidentin.
Ai ka thënë se as opozita dhe asnjë deputet nuk e ka detyrim as të rrijë në sallë, as të mos rrijë në sallë. Sipas Hasanit, e rëndësishme është që të mos dorëzohet votë në kuti.
“Jo, sepse presidenti nuk është pushtet. Presidenti nuk është pushtet. Është organ legjitimues dhe balancues i krejt organeve të tjera. Dhe nuk është pushtet. Pushtet është legjislativi, ekzekutivi edhe gjyqësori. Aktgjykimi i rastit të Thaçit qartë e bën që deputetët nuk e kanë atë detyrim. Kjo nuk është pushtet. Kjo është, po e përsëris, organ që është legjitimues, balancues dhe garantues i funksionimit të krejt institucioneve të sistemit. Dhe opozita këtë duhet ta ketë parasysh dhe me dinjitet ta përballojë instalimin e një autokracie të personalizuar në Kosovë, e cila e vret jetën institucionale. Është e sigurt që do të vdesë jeta institucionale në Kosovë dhe hapet rruga për anarki dhe kaos si zgjidhje e fundit për ndryshim në të ardhmen. Opozita dhe askush, asnjë deputet nuk e ka detyrim as të rrijë në sallë, as të mos rrijë në sallë. Mund të rrijë në sallë, të marrë fletën e votimit, vetëm me rëndësi të mos e dorëzojë në kuti”, shton Hasani.
Duke u bazuar në këto, ai është skeptik se zgjedhja e presidentit do të përfundojë me sukses. Sipas ish-kreut të Kushtetueses, Kurti po përdor taktika për ta kapur postin e presidentit.
“Logjika thotë të mos jemi optimistë për shkak se, derisa është lënë për ditën e fundit dhe çdo gjë ka qenë dhe vazhdon të jetë krejt okulte, jo transparente, atëherë pak pres. Pak ka gjasa që nesër të ndodhë zgjedhja e presidentit. Unë më shumë e shoh si një manovër të Kurtit për zhvendosje të fajësisë, në skenar të njëjtë siç ka vepruar vitin e kaluar për ta kapur postin e presidentit”, thekson ai.














