Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka reaguar ashpër ndaj Albin Kurtit, duke pyetur se edhe sa shanse duhet t’i jepen atij.
Ajo ka thënë se Kosova nuk mund të mbahet peng i kalkulimeve politike dhe se qytetarët nuk votuan për stagnimin.
Po ashtu, Musliu ka deklaruar se Kurti nuk di e as nuk do të qeverisë, por ai do të sundojë.
Postimi i plotë:
EDHE SA SHANSA DUHET POPULLI T’IA JAPË ALBIN KURTIT?
Populli i Kosovës i dha tri herë radhazi Albin Kurti besimin më të madh politik në historinë e pasluftës. Me krejt dështimet e tij në dy mandatet e para, qytetarët i dhanë një mandat me mbi 50% për të ndërtuar institucione stabile, për të marrë vendime dhe për ta çuar vendin përpara.
Por sot, përballë bllokadave dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve, lind një pyetje legjitime: edhe sa shansa duhet t’i japë populli një qeverisjeje që nuk arrin ta kthejë besimin në rezultate?
Kosova nuk mund të mbahet peng i kalkulimeve politike. Qytetarët nuk votuan për stagnim, as për arsyetime të pafundme. Ata votuan për përgjegjësi, veprim dhe institucione që funksionojnë.
Mandati i madh është përgjegjësi e madhe. Dhe kur një lider merr një besim kaq të fuqishëm nga qytetarët, ai nuk ka luksin të dështojë në detyrën më themelore: ndërtimin dhe funksionalizimin e institucioneve të shtetit, sepse, në fund, demokracia nuk matet me fjalë dhe premtime, por me rezultate konkrete për qytetarët.
Albini nuk din e as nuk don me qeverisë, Albini don me SUNDU!













