Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari ka treguar bisedën e fundit me familjen në Prekaz që e kishte bërë më 3 mars 1998, pak ditë pas masakrës së Qirezit dhe Likoshanit.
Bekim Jashari në një postim në Facebook tregon se çfarë kishte thënë Hamëz Jashari, kur e kishte pyetur sa kanë armatim.
Postimi i plotë:
Bisedën e fundit me familjen në Prekaz e kisha më 3 mars 1998, pak ditë pas masakrës së Qirezit dhe Likoshanit, një ngjarje që e kishte prekur thellë babushin.
E pyeta si qëndronin me armatim dhe ai m’u përgjigj:
“Sa do të mund të qëndrojmë, nuk e di, se ata kanë me na sulmu me krejt çka kanë.
Por një gjë po ta them:
Qysh ka thënë Tahir Meha, kur të vdes unë, kanë me shkru shtatë gazeta…
Unë po të them, ka me marrë vesh krejt bota çka ka me ndodhë këtu.”
Dhe ashtu ndodhi. Beteja e 5, 6 dhe 7 marsit në Prekaz tronditi ndërgjegjen e botës demokratike dhe e bëri të pamundur që e vërteta për Kosovën të mbetej e heshtur. Në të njëjtën kohë, ajo zgjoi dhe bashkoi edhe më shumë popullin e Kosovës, i cili u mobilizua me vendosmëri drejt luftës çlirimtare.
Ajo rrugë ishte e dhimbshme dhe plot sakrifica, por ishte rruga e drejtë që në fund u kurorëzua me lirinë dhe çlirimin e vendit tonë.
Ky ishte çmimi i lirisë sonë.
Lavdi Kryekomandantit Adem Jashari.
Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të lirisë.















