Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë mund të rritet deri në rreth 20 për qind nga 1 prilli 2026, megjithatë deri më tani nuk është marrë ende një vendim përfundimtar për tarifat e reja.
Ani pse ende s’ka vendim për shtrenjtim të çmimit të rrymës, ka kërkesa e ankesa të ndryshme nga kompanitë në vend drejtuar ZRRE-së.
Sipas këtyre kërkesave, kompanitë e sektorit të energjisë kanë propozuar rritje të tarifave për shkak të kostove më të larta të operimit dhe importit të energjisë, ndërsa vendimi final i ZRRE-së pritet të përcaktojë nëse dhe sa do të reflektohen këto kosto në faturat e qytetarëve nga muaji prill.
Në Kosovë, tarifat e energjisë elektrike rishikohen çdo vit nga ZRRE dhe zakonisht hyjnë në fuqi më 1 prill, duke mbetur të vlefshme deri më 31 mars të vitit pasues.
Deputeti i PDK-së FeratShala, ka paralajmëruar se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë pritet të rritet, duke u bazuar në zhvillimet e fundit në sektorin energjetik dhe në kërkesat e paraqitura tek institucionet rregullatore.
Sipas Shalës, politikat qeveritare të deritanishme, së bashku me paralajmërimet e Zyra e Rregullatorit për Energji dhe kërkesat e kompanive furnizuese për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara, tregojnë se një rritje e tarifave të energjisë është e pashmangshme.
“Nisur nga politikat qeveritare të deritanishme, si dhe nga paralajmërimet e ZRRE-së dhe kërkesat tashmë të deponuara për përcaktimin e të hyrave maksimale të lejuara nga kompanitë furnizuese me energji elektrike, është e qartë se çmimi i energjisë pritet të rritet”, ka deklaruar Shala.
Ai ka theksuar se niveli i saktë i rritjes do të varet nga vendimet që do të marrin institucionet përgjegjëse për menaxhimin dhe rregullimin e sektorit energjetik.
“Sa do të jetë niveli i kësaj rritjeje do të varet nga institucionet përgjegjëse që vendosin, trajtojnë dhe menaxhojnë sektorin energjetik”, ka thënë ai për FrontOnline.
Megjithatë, sipas indikacioneve aktuale që ai përmend, rritja e çmimit të energjisë mund të arrijë deri në rreth 20 për qind.
Shala ka vlerësuar se situata aktuale politike në vend mund të ndikojë në një vendim të tillë, për shkak të mungesës së kontrollit të mjaftueshëm institucional dhe transparencës në sektorin energjetik.
“Sipas indikacioneve aktuale, rritja mund të jetë rreth 20%. Situata politike e krijuar e favorizon një rritje të tillë të çmimit, në mungesë të kontrollit të mjaftueshëm institucional, të transparencës së plotë dhe të një auditimi të qartë të shpenzimeve dhe importeve të energjisë”, është shprehur ai.
Deputeti i PDK-së ka theksuar gjithashtu se një parlament jashtë funksionit dobëson mbikëqyrjen institucionale dhe krijon hapësirë për keqmenaxhim në sektorin energjetik.
“Në këto rrethana, një parlament jashtë funksionit përbën një faktor që dobëson mbikëqyrjen institucionale dhe krijon hapësirë për keqmenaxhim apo korrupsion në sistemin energjetik qeveritar”, ka përfunduar Shala.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, për FrontOnline ka deklaruar se kërkesat e dërguara në Zyra e Rregullatorit për Energji për rritjen e mundshme të çmimit të energjisë elektrike janë ende në fazën e shqyrtimit dhe se për momentin nuk mund të jepet një konfirmim përfundimtar për përqindjen e rritjes.
“Për momentin, kërkesat e dërguara në ZRRE janë ende në fazën e shqyrtimit. Është e rëndësishme që fillimisht të dalin raportet konsultuese, të cilat do të ofrojnë një pasqyrë të qartë mbi arsyetimin financiar të kësaj kërkese. Derisa këto raporte të bëhen publike, nuk mund të japim një konfirmim përfundimtar mbi përqindjen e saktë, por shqetësimi për një barrë të tillë mbi qytetarët është evident”, ka deklaruar Ymeri, për FrontOnline.
Sipas Ymerit, deri më tani janë mbajtur vetëm dy mbledhje të Komisionit: një për konstituim dhe një tjetër në të cilën ajo ka kërkuar dokumentacionin zyrtar për tregtinë e energjisë elektrike.
“Si Komision, vullneti për të adresuar këtë çështje në Kuvend ekziston, por jemi përballur me vështirësi operacionale. Deri më tani kemi mbajtur vetëm dy mbledhje: njëra për konstituim dhe tjetra ku unë personalisht kam kërkuar dokumentacionin zyrtar për tregtinë e energjisë elektrike. Shkaku i bllokadës institucionale në vend, puna e Komisionit ka mbetur në këtë pikë”, ka thënë ajo për FrontOnline.
Ajo theksoi se hapat e mëtejmë do të varen nga vendimet përfundimtare të ZRRE-së dhe nga procesi i konsultimeve me akterët kryesorë të sektorit energjetik, si KOSTT, KEDS dhe KESCO.
“Në rrethana normale, rruga që do të ndiqnim përfshin mbikëqyrjen përmes Komisionit, debate në Kuvend dhe, nëse vlerësohet e nevojshme, shqyrtimin e masave ndaj Bordeve përgjegjëse. Megjithatë, nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve, rrugët institucionale humbin fuqinë e tyre”, ka deklaruar Ymeri.
Ymeri ka deklraurar se në një situatë të tillë reagimi qytetar mund të mbetet forma e fundit e kundërshtimit ndaj rritjes së çmimeve, duke kujtuar se edhe vitin e kaluar ishte bashkuar me protestat kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.
“Në një skenar të tillë, mbetet reagimi qytetar si mjet i fundit i kundërshtimit, kauzë të cilës i jam bashkuar edhe vitin e kaluar në protestë, duke qëndruar krah qytetarëve kundër rritjes së papërballueshme të çmimeve”, ka përfunduar deputetja e LDK-së.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Jakup Bellaqa, për FrontOnline ka deklaruar se rritja e mundshme e çmimit të energjisë elektrike nga 1 prilli, sipas paralajmërimeve të Zyra e Rregullatorit për Energji, mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen ekonomike dhe sociale në vend.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 1 prilli, sipas paralajmërimeve të ZRRE-së, do ta përkeqësojë gjendjen makroekonomike dhe sociale. Kjo rritje do të ndikojë ndjeshëm te kategoritë me të hyra të ulëta dhe të mesme, ndërsa edhe te bizneset do të rriten kostot operative, si te ato prodhuese, përpunuese dhe shërbyese”, ka deklaruar Bellaqa, për FrontOnline.
Ai shton se rritja e kostove për bizneset pritet të reflektohet automatikisht edhe në treg, përmes rritjes së çmimeve të produkteve bazike.
“Kjo do të bëjë që të ulen mjetet buxhetore të ekonomive familjare për kursime dhe do të konsumohet më pak produkte të përditshme dhe vjetore: si mishi, qumështi, mjalta dhe produkte të tjera bazike”, ka vlerësuar ai.
Sipas tij, një nga zgjidhjet do të ishte subvencionimi i energjisë elektrike për kategoritë me të hyra të ulëta, ndërsa për sektorin prodhues ai sugjeron mbështetje financiare për prodhimin dhe eksportin.
“Mesazhi im është që shteti duhet të veprojë me masa mbrojtëse, duke subvencionuar rrymën për kategoritë me të hyra të ulëta, ndërsa për prodhuesit të subvencionohet prodhimi dhe eksporti”, ka theksuar Bellaqa.















