Analisti politik i lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, Sadri Ramabaja u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mblidhen në një seancë të jashtëzakonshme dhe të shkarkojnë nga pozita presidenten në largim Vjosa Osmani.
Ramabaja e ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese për nxjerrjen e një aktgjykimi konformist dhe “të paguximshëm”.
“Për mua është vendim konformist dhe Gjykata për mua ka bërë kompromis mes të drejtës dhe politike. Në fakt, kemi të bëjmë me një akt anti-kushtetues por pa zë. Gjykata Kushtetuese në pikëpamjen time mbetet një forum i juristëve pa guxim politik dhe konformist deri në skajshmëri dhe me këtë akt ka treguar që ajo vazhdimisht ka mbajtur balanca”, tha Ramabaja të mërkurën në emisionin Debat Plus.
Ai ka vlerësuar se ndonëse Gjykata nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese nga presidentja, aktgjykimi është i qartë. Sipas tij, shefja e shtetit ka kryer shkelje me dekretin e nxjerrë për shpërndarjen e Kuvendit.
Kësisoj, ai u ka bërë thirrje deputetëve që të mblidhen urgjentisht dhe të shkarkojnë atë nga pozita.
“Për pikëpamjen time, atë që s’ka guxuar ta bëjë Gjykata do të duhej ta bënte Kuvendi sepse prej ditës së sotme ajo [presidentja, v.j] rikthehet në punë dhe nesër ose pasnesër do duhej ta thërrisnin një seancë të jashtëzakonshme dhe ta shkarkonin presidenten për veprimin e saj anti-kushtetues”, ka thënë anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes.
Ramabaja tha se 61 vota mjaftojnë për shkarkimin e presidentes.














