Gjykata Themelore e Mitrovicës sot ka bërë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes për vrasjen e rëndë ku i pandehur është Bleron Dibrani, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Sipas aktakuzës, më datë 23.03.2025 rreth orës 20:30 në Vushtrri, i akuzuari me dashje e ka privuar nga jeta viktimën, Ardit Zymeri, pasi që me armën e zjarrit të llojit pistoletë e kishte gjuajtur dhe e goditur viktimën tri herë në trup.
Viktima nga arma e zjarrit kishte pësuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe mëlçi duke i sjellë gjakderdhje masive dhe pamjaftueshmëri të menjëhershme respiratorë.
Sipas Prokurorisë së Mitrovicës, viktima, kishtë ndërruar jetë në Repartin e Emergjencës në Spitalin e Vushtrrisë.
“Rikonstruktimi është zhvilluar në prani të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, mbrojtësja e të pandehurit, i dëmtuari, dëshmitari si dhe zyrtarëve hetimorë: Njësia për Reagim të Shpejtë (NJRSh) dhe Njësia e Forenzikës si dhe ekspertë nga lemitë përkatëse si: Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), Agjencioni i Kosovës për Forenzikë (AKF) , zyrtarë të Policisë së Kosovës, si dhe në përputhje të plotë me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftim.













