Komuna e Prishtinës me ekipet e kryeqytetit ka larguar tabelat e ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar video ku shihen duke u hequr tabelat nga sheshi.
Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.
Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, ka goxha pasaktësi.
Kjo ekspozitë me autor Shkëlzen Gashin ka nxitur reagime publike pasi u identifikuan gabime të shumta për të dhënat e shkruara në të.
Në ekspozitën e vendosur në sheshin e Prishtinës për përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, një pjesë e konsiderueshme e civilëve që janë vranë nëpër masakra janë cilësuar si persona të armatosur.
Pothuajse në të gjitha tabelat e ekspozitës ka pasaktësi.
Për këto pasaktësi kanë reaguar të mbijetuarit e masakrës së Dubravës, Enver Dugolli dhe Sadik Zeqiri, si dhe ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, i cili e ka quajtur ekspozitën cenim të drejtpërdrejt të së vërtetës historike.













